Policia e Kosovës lajmëron se ka mbyllur 25 rrugë ilegale në veri
Policia e Kosovës ka identifikuar 65 rrugë ilegale, afër kufirit me Serbinë. Së fundi, 25 prej tyre janë mbyllur, pasi të njëjtat shfrytëzoheshin për kontrabandim të mallrave.
Kjo rrugë ka qenë e frekuentuar vazhdimisht.
Jo nga banorët lokal, por nga ata të cilët e shfrytëzuan për veprime të kundërligjshme.
E kjo zonë gjendet në afërsi të pikës kufitare Bërnjak në veri të Kosovës, 50 metra afër zonës administrative me Serbinë, e që është përdorur për kontrabandim të mallrave.
Policia e Kosovës ka ndërmarrë të njëjtat veprime duke identifikuar 65 rrugë ilegale.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se tashmë ka rrugë të shumta ilegale që janë bllokuar.
“Ne në veri të vendit i kemi identifikuar diku 65 rrugë ilegale, të cilat janë përdorur për qarkullim të mallrave ose të njerëzve. Nga këto diku mbi 25 janë mbyllë ose me beton ose me gropa, pra janë hap gropa për këto. Kështu që policia kufitare dhe policia e rendit janë duke punuar aq sa është e munduar për të parandaluar kontrabandën me mallra. Konsiderojmë që është mjaftë e suksesshme kjo dhe me siguri që do të kemi veprime edhe në të ardhmen”, ka thënë ai.
Tëvë1 mëson ekskluzivisht se edhe kjo rrugë ilegale e komunës së Zubin Potokut, më herët është përdorur për futjen e armëve ilegale.
Aty pak metra më larg matanë kufirit në Serbi, para 1 muaji janë parë lëvizje të xhandarmërisë serbe.
Ditëve të fundit ka pas reagime edhe nga një parti serbe në veri, për mbylljen e kësaj rruge, duke bërë propagandë kinse për prekje të pronave private.
Policia thotë se nuk janë prekur tokat e banorëve, ndërsa theksohet se do të vazhdohet me mbylljen e rrugëve të tilla.
“Kemi informacione për ankesat e tyre. Ne kemi mirëkuptim për ta dhe kemi theksuar se çdo ankesë e tyre do të shqyrtohet nga ana jonë dhe aq sa është e munduar të bëjmë për ta, ne do të bëjmë”, ka thënë Elshani.
Elshani tha se policia e Kosovës kryen vazhdimisht patrullime në këtë zonë.