Princesha Kate do ta bëjë sot paraqitjen e parë publike prej se u diagnostikua me kancer

Princesha Kate do ta bëjë sot paraqitjen e parë publike prej se u diagnostikua me kancer

Princesha e Uellsit, Kate Middleton, u fotografua duke mbërritur në Pallatin Buckingham të shtunën, ku do ta bëjë paraqitjen e parë publike prej se u diagnostikua me kancer pas një operacioni pesë muaj më parë.

Ajo mbërriti me veturë së bashku me burrin e vet, Princin William, dhe tre fëmijët për të marrë pjesë në paradën ushtarake vjetore, e cila mbahen në qendër të Londrës për ta shënuar ditëlindjen e monarkut britanik.

Kate njoftoi të premten se do të merret pjesë në shënimin e ditëlindjes së Mbretit Charles, pasi ka shënuar përparim në tretmanin mjekësor.

Në mars, ajo zbuloi se po i nënshtrohej kimioterapisë për ta mjekuar një lloj të paspecifikuar të kancerit.

“Po bëj përparim të mirë, por siç e dinë ata që i nënshtrohen kimioterapisë, ka ditë të mira dhe ditë të këqija”, tha Kate në një komunikatë, duke shtuar se përballet edhe “me disa muaj të tjerë” tretman.

Kate shtoi se “ende nuk e kam kaluar rrezikun” dhe zyrtarët thanë se paraqitja e saj të shtunën nuk nënkupton se ajo i është kthyer plotësisht jetës publike./REL

Shpërndaje në: