“Sylvinho e ka rritur shumë Shqipërinë” – Spalletti lavdëron punën e trajnerit brazilian te Shqipëria
Spalletti ka dalë sot në konferencën për shtyp, ku ka folur për përballjen që do të ketë Italia kundër Shqipërisë.
Trajneri italian ka motivuar futbollistët e tij, teksa nuk munguan lëvdatat as për trajnerin brazilian, Sylvinhos.
“Nga pikëpamja personale, kam shumë emocione për këtë ndeshjen e nesërme. Por sa më shumë afrohet, akoma më shumë më kthehen në emocion të bukur, lumturie, sesa në tension. Është një ndjesi fantastike, në një stadium të bukur për të bërë një ndeshje të madhe. Vetë ndeshja është e ndërlikuar. Unë e pranoj, Sylvinho ka bërë një punë të madhe te Shqipëria për të ndërtuar këtë ekip, do të luajmë ndaj një rivali që ka kualitet dhe që kanë lojtarë, të cilët na e njohin mirë stilin e lojës”, tha ai fillimisht.
Tutje, ai potencoi se ndeshja ndaj Shqipërisë do të jetë shumë e vështirë, derisa pati edhe fjalë të mëdha për futbollistët e tij.
“Do të jetë shumë e vështirë. Duhet thënë se po përjetojmë ëndrrën e çdo italiani që në fëmijëri u largua nga shtëpia me topin në krahë dhe u kthye në shtëpi vonë, me një fytyrë të lodhur, të djersitur dhe gjunjët që i kullonin gjak. Jemi heronjë, gjigantë, që veshim uniformën e një ekipi që nuk vuan presion. Gjigantët dhe heronjtë nuk kanë frikë të luajnë një ndeshje futbolli”, tha Spalletti.
Shqipëria do të luajë ndaj Italisë gjatë ditës së nesërme, me takimin që nis nga ora 21:00, dhe luhet në “Signal Iduna Park” të Dortmundit.