Favoritë dhe të pasur, Anglia skuadra me vlerën me të madhe në Evropianin e Gjermanisë
Në futboll, paratë nuk e sigurojnë suksesin, por nuk ka dyshim që të afrojnë me triumfin.
Jo më kot, skuadrat që konsiderohen si favorite të Euro 2024 kanë edhe vlerën më të lartë në tregun e transferimeve. Me lojtarët e grumbulluar për Kampionatin Evropian, Anglia mban vendin e parë, të paktën sipas analizës së specialistëve, të “Transfermarkt”.“Tre Luanët” kapin vlerën e përgjithshme të 1.52 miliardë eurove në tregun e futbollit, teksa në vendin e dytë pozicionohen
“Gjelatë” e Francës, nënkampionë të botës, me 1.23 miliardë euro dhe në të tretin “Luzitanët” e Portugalisë, me pak më shumë se 1 miliardë euro.
Pesëshja e parë në këtë klasifikim plotësohet me Spanjën dhe Gjermaninë, me përfaqësuesen e “La Furia Roja”, që vlerësohen në shifrën e 965.5 milionë eurove, ndërsa “Pancerat” organizatorë të këtij kompeticioni, në shifrën e 831 milionë euro.
Në këtë garë, Kombëtarja e Shqipërisë nuk ka asnjë shans, me “Kuqezinjtë” e thirrur nga Sylvinho, që mbajnë vendin e parafundit mes 24 finalistëve, teksa ka një vlerë të përgjithshme në tregun e transferimeve prej 111.6 milion euro, duke lënë pas vetëm Rumaninë.
Lojtari më i shtrenjtë mes “Legjionarëve” është Armando Broja, me kartonin e sulmuesit, që në vlerësohet 22 milion euro, ndërsa pas tij renditen Kristjan Asllani me 18 milionë euro dhe Ernest Muçi me 13 milion euro.
Sa i përket rivalëve të Shqipërisë në Grupin B të Euro 2024, pas Spanjës, është Italia që ka vlerën më të lartë në treg me 705.5 milionë euro, dhe Kroacia me 327.7 milionë euro. Diferenca duket e madhe, por kjo nuk i pengon “Kyqezinjtë” të provojnë të bëjë surprizën, teksa futbolli ka shumë precedentë të tillë në historinë e tij