Apeli në Shqipëri pritet të vendosë sot për Belerin, ambasadorja greke ndjek seancën

Apeli në Shqipëri pritet të vendosë sot për Belerin, ambasadorja greke ndjek seancën

Gjykata e Posaçme e Apelit në Shqipëri pritet të vendosë sot ndaj ankesës së Alfred Belerit, kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, kundër dënimit me dy vjet burgim për vjedhje votash.

Në mars, Gjykata e Posaçme e dënoi Belerin me dy vjet burgim për akuzën e vjedhjes së votave në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

Mbrojtja e tij është ankuar ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe ka kërkuar lirimin e tij. Në seancën e së premtes në Gjykatën e Apelit po marrin pjesë familjarë dhe mbështetës të tij, përfshirë edhe ambasadoren greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi.

Beleri dhe avokatët e tij mbrojtëse i kanë cilësuar akuzat si politike dhe të pabazuara.

Beleri fitoi ulëse në Parlamentin Evropian si përfaqësues i partisë udhëheqëse në Greqi, Demokracia e Re, në zgjedhjet e qershorit.

Kreu i shoqatës së minoritetit grek në Shqipëri “Omonia”, Marin Suli, ka thënë për Radio Evropa e Lirë se Beleri ka deklaruar se, nëse shpallet i pafajshëm, ai “do ta zgjedhë mandatin e kryebashkiakut të Himarës” para ulëses së eurodeputetit.

Zgjedhja e Alfred Belerit si deputet i Parlamentit Evropian shkaktoi polemika – si për legjitimitetin e tij, ashtu edhe për ndikimin e rastit të tij në integrimin evropian të Shqipërisë.

Juristë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se rasti i tij ngre shqetësime kushtetuese dhe ligjore.

Sipas tyre, ai mund të ndikojë edhe në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe në marrëdhëniet e saj me Greqinë.

Alfred Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, ishte kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës – qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë – në zgjedhjet e majit të vitit 2023.

Ai u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën dyshimet për blerje votash.

Pavarësisht se ishte në paraburgim atëkohë, Beleri i fitoi zgjedhjet, por nuk u betua asnjëherë. Në mars të këtij viti u dënua me dy vjet burgim.

Rasti nxiti kritika të mëdha në Athinë, ku Ministria e Jashtme tha se “dënimi dyvjeçar është padyshim joproporcional me masën e veprës së supozuar”.

Partia e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, e emëroi pastaj kandidat për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor, ku ai u zgjodh./ REL/

Shpërndaje në: