Qeveria: Drafti për Asociacionin nuk ka autorësi
Qeveria e Kosovës ka ripësëritur se draft-statuti i propozuar nga Bashkimi Evropian për themelimin e Asociacionit është dokument pa pronësi, pa adresë dhe pa nënshkrim. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se Qeveria nuk mund të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim artikuj gazetash.
Qeveria ka refuzuar një kërkesë të SHBA-së dhe BE-së të cilët kanë kërkuar nga ajo ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, tha se draft-statuti për asocionin i dorëzuar nga BE-ja nuk ka autorësi dhe as nënshkrim, rrjedhimisht sipas tij, Qeveria nuk dërgon në Gjykatën Kushtetuese artikuj të gazetave.
“Ne jemi në proces të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret që Këshilli i Evropës i ka kërkuar nga Kosova. Asambleja Parlamentare e KIE-së ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Pastaj ka pasur kritere që kanë devijuar nga kërkesat e Komisionit Evropian dhe të cilat janë refuzuar nga vet Asambleja Parlamentare siç është kërkesa për dërgimin e draftit të Asociacionit i cili nuk përbënë faktikisht as draft, as dokument sepse as nuk ka nënshkrim, as nuk ka dhe as nuk pronësi. Deri në momentin e tanishëm ka disa adresa që kanë thënë ky është draft i joni, dmth ne nuk dërgojmë artikuj gazetash, as opinione dhe as drafte që nuk kanë autorësi apo pronësi në Gjykatën Kushtetuese”, tha Bislimi për rtv21.
Deklarimet e përfaqësuesve të pushtetit se nuk e kanë pranuar asociacionin nuk po ua mbushin mendjen përfaqësuesve të opozitës. Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, thotë se Qeveria e ka pranuar Asociacionin me marrëveshjen e Ohrit dhe atë të Brukselit në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
“Qeveria duhet me dal dhe me i tregu popullit se Albin Kurti dhe VV-ja e kanë pranuar asociacionin me kompetenca ekzekutive. Po duan dhe kanë me formu një Serbi të vogël brenda shtetit të Kosovës. Këtë duhet që ta din të gjithë qytetarët e Kosovës se e kanë pranuar asociacionin, se kur kanë me implementu presim në ditët në vazhdim”, tha Krasniqi.
Mungesa e rezultateve konkrete në procesin e dialogut me Serbinë sipas zëvendëskryeministrit Bislimi nuk paraqet problem për Kosovën në proceset integruese edhe pse Bashkimi Evropian e thotë të kundërtën.
“Dialogu është pjesë e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit është dakurduar nga qeveritë paraprake në momentin kur është dakorduar për marrëveshjes se Stabilizim Asociimit, rrjedhimisht ajo do të jetë pjesë e vlerësimit tonë, por nuk është diçka që e bllokon integrimin”, tha Bislimi.
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane Rrezarta Krasniqi insiston se proceset integruese janë të ndërlidhura me rezultatet e dialogut. Fajëson Qeverinë për këtë.
“Kjo qeverisje e ka lidhur dialogun me proceset integruese të Kosovës sepse me me anëtarësimin në Këshillin e Evropës krerët e shtetit janë zotuar me proceset që janë ndërlidhur me dialogun, për këtë shkak edhe ka dështuar Kosova në Këshill”, tha Krasniqi.
Qeveria thotë se janë duke punuar në agjendën e BE-së për integrime evropiane që lidhet me marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në të cilën pritet të përfitojë fonde të BE-së.