Gjykimi për rastin e vrasjes së Ivanoviqit, gjobitet avokati që e dërgoi praktikantin ta zëvendësonte atë

Gjykimi për rastin e vrasjes së Ivanoviqit, gjobitet avokati që e dërgoi praktikantin ta zëvendësonte atë

Mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Markoviq, avokati Dejan Vasiq është gjobitur me 350 pasi në seancën e kaluar kishte dërguar praktikantin e zyrës së tij, Goran Mitroviq, të përfaqësonte në vend të tij.

Për shkak se avokati Vasiq, për përfaqësim në seancën e 12 qershorit 2024 kishte autorizuar praktikantin e zyrës së tij, Goran Mitroviq, ishte ndërprerë gjykimi për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Andaj, në seancën e së enjtes, avokati Vasiq paraprakisht kërkoi falje dhe e pranoi gabimin që ka bërë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I nderuar gjykatës, unë dje e kam bërë një gabim. Unë kam menduar që vepra penale është e dënueshme deri në 5 vite dhe praktikanti im ka mundur të më zëvendësojë. Por, unë e pranoj që ai nuk ka mundur të më zëvendësojë në seancën e djeshit dhe është ekskluzivisht gabimi im që seanca dje ka dështu. Unë do të pranoj vendimin e gjykatës pa asnjë lloj ankese”, tha Vasiq.

Më pas, gjykatësi i rastit, Valon Kurtaj i shqiptoi gjobë në shumën prej 350 euro.

Po ashtu, trupi gjykues ka shqiptuar vërejtje ndaj mbrojtësit të të akuzuarës Silvana Arsoviq, avokatit Musa Damati, për shkak se i njëjti u paraqit me vonesë në seancë. Avokati Damati vonesën e arsyetoi duke thënë se nuk ishte e qëllimshme dhe se kishte një rast në familje dhe shkaku i trafikut.

Seanca është duke vazhduar.

Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.

Seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës së 27 dhjetorit 2019 dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e tyre dhe çështja ishte kthyer në rivendosje dhe nga Themelorja u kërkua të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

Më pas, më 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, sipas së cilës, Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal, lidhur me veprat penale “Vrasje rëndë” nga neni 179, par.1.9 të Kodit Penal dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.2, nënpar.2.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq akuzohen se në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati dhe dy të pandehur tjerë të panjohur, duke vepruar si grup kriminal me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

I akuzuari Dragisha Markoviq akuzohet për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” nga neni 433, par. 2.1 të Kodit Penal. Markoviq po ashtu bashkë me Zharko Jovanoviq akuzohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje” nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar. 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, i akuzuari Jovanoviq ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal. Kurse, i akuzuari Nedeljko Spasojeviq ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Shpërndaje në: