Osmani: Lufta e UÇK-së nuk ishte vetëm për tokën, por për vetë shpirtin e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në cerëmoninë e parakalimit të ushtarëve të FSK-së dhe policisë së Kosovës për nder të 25-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, tha se UÇK-ja ishte shtylla më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës.
E para e shtetit u shpreh se lufta e UÇK-së nuk ishte vetëm për tokën, por për vetë shpirtin e Kosovës.
“UÇK ishte shtylla më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës, gratë dhe burrat trima morën armët për të mbrojtur të drejtën tonë për të ekzistuar. Lufta nuk ishte vetëm për tokën por për vetë shpirtin e Kosovës. Çdo jetë që ata e rrezikuan na solli një hap më afër lirisë. Guximi i UÇK-së është një histori heroizmi që do të tregohet brez pas brezi. Ne u detyrohemi atyre me mirënjohje që nuk mund të shlyhet kurrë dhe duhet të kujtohet e nderohet përgjithmonë”, tha Osmani.
Presidentja më tej u shpreh se më 12 qershor të vitit 1999, luftëtarët e UÇK-së dhe ushtarët e NATO-s, frikën, tmerrin e dhimbjen, i kthyen në shpresë dhe lirinë e bënë realitet.
“Siç dihet udhëtimi drejt lirisë nuk ishte i vetëm. U mbështetëm nga aleatët e palëkundur të cilët na qëndruan pranë në orët më të errëta të historisë sonë. Faleminderit që na dolët në ndihmë për të na mbrojtur nga shfarosja prej regjimit gjenocidal të Serbisë. Më 12 qershor 1999 luftetarët e UÇK-së dhe ushtarët e NATO-s, frikën, tmerrin, dhimbjen e lotët na i rikthyen në shpresë dhe lirinë e bënë realitet. Kosova është e pavarur, është trashëgimi e përjetshme e heronjve tanë të mishëruar më së miri në trimat e trimëreshat që sot do të parakalojnë në këtë paradë të FSK-së dhe të policisë. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj. Zoti i bekoftë aleatët tanë. Zoti e bekoftë ushtrinë dhe policinë e Kosovës”, tha Osmani.