Abdixhiku: Kosovë gëzuar 25 vjetorin – Ditën e Çlirimit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.
“Kosovë gëzuar 25 vjetorin – Ditën e Çlirimit”.
Ai tha se 25 vjet më parë Kosova u çlirua përfundimisht nga okupimi dhe sundimi shfarosës serb.
“Pikërisht më 12 qershor të vitit 1999, do të merrte fund njëherë e përgjithmonë vuajtja shekullore shqiptare nga një regjim barbar serb që po vriste e po digjte në çdo cep të Kosovës. Rrezet e lirisë po pushtonin horizontin e zymtë të qiellit të Kosovës, ato po largonin retë e zeza të mortjes, të djegieve të shtëpive e vuajtjeve të popullit tonë. Këto rreze lirie erdhën si rezultat i një rezistence paqësore të pathyeshme të udhëhequr nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe më pas edhe të armatosur të popullit të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që rezultoi edhe me intervenimin ushtarak të NATO-s mbi caqet serbe”.
Abdixhiku tha se regjimi famëkeq serb kishte vrarë e masakruar mijëra civil të pambrojtur, kishte deportuar mbi një milion shqiptar nga shtëpitë e tyre, kishte djegur e shkatërruar gjithçka shqiptare.
“Këtij regjimi fashist do i vinte fundi pas 78 ditëve të bombardimeve të Aleancës së NATO-s. Në këtë përvjetor, të Ditës së Çlirimit nderojmë dhe kujtojmë sakrificën sublime të brezave të tërë që kontribuan në lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë”.
Ai ka falënderuar edhe aleatët e Kosovës.
“Përjetësisht mirënjohës dhe falënderues për partnerët e miqtë ndërkombëtarë, SHBA-të, BE-në, NATO-n dhe të gjitha shtetet e tjera evropiane demokratike që mbështetën dhe ndihmuan në arritjen e lirisë sonë. Urime Dita e Çlirimit, Kosovë!”