Pal Refsdal, fotografi i njohur norvegjez që ka me qindra dëshmi të luftës të dokumentuara me fotografi e video-xhirime
Pal Refsdal, gazetar, fotograf dhe regjisor i njohur nga Norvegjia, i cili ka qenë fotograf gjatë luftës në Kosovë, ka folur për aktivitetin e tij në dokumentimin e luftës përmes fotografive dhe video-xhirimeve.
Refsdal tha se një pjesë e tyre janë përdorur në CNN në vitin ’99, por pjesa më e madhe e materialit nuk është e njohur për publikun dhe ka sjellë çdo gjë që ka pasur në arkiv, siç u shpreh ai,çfarëdo lloj fotografie, video-xhirimi nga viti ’98-’99.
“Bëhet fjalë për qindra fotografi nga UÇK dhe me orë të tëra me video-xhirime nga pjesa e refugjatëve në vitin ’99. Kam qenë në Kleçkë për së paku një muaj në atë zonë dhe ka pasur mijëra refugjatë që kanë qenë aty dhe i kam filmuar, por edhe pas luftës kam fotografuar disa vende, ku janë zhvilluar masakrat”, tha Refsdal në RTK.
Lidhur me këtë ai shtoi se disa vende ku janë bërë masakra i ka dokumentuar ngase, sikundër tha ai, njerëzit kanë dashur t’i varrosin njerëzit e vrarë sa më shpejtë dhe ka qenë e rëndësishme që të arrijë në ato vende sa më shpejtë që të ishte e mundur.
“Dhe tani po i sjellim këto prova e dokumentime dhe shpresoj që këto të mblidhen e të sistematizohen që të mund të përdoren për mësimet e historisë pikë së pari, por edhe për tribunalin për krime të luftës”,tha Refsdsal.
Ai më tej shtoi se për këto fotografi e video-xhirime nuk dëshiron të ketë përfitim material, me qëllimin që tërë këto materiale të mund të shfrytëzohen nga të gjithë të interesuarit pa pagesë, por me kushtin që të mos keqpërdoren nga të tjerët për përfitime materiale.