Rama: Duhet formuar një grup uniteti që Kosova të dalë nga loja ‘macja me miun’ me Serbinë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama propozoi formimin e një grupi uniteti për të dalur nga “loja macja me miun me Serbinë”.
I pyetur se si e sheh Kosovën, Rama i cili sot po qëndron në Prishtinë, tha se “sot jemi në një proces ku thellohet edhe më shumë qasja ndaj politikës së jashtme si politikë e brendshme” dhe po ndodh “shfrytëzimi i platformave të komunikimit jashtë si tribuna për të marrë vota këtu”.
“Kjo patjetër që mund të ketë sukses elektoral, por kjo e lë Kosovën me gjithmonë e më pak besim nga ana e miqve dhe aleatëve të vet ndërkombëtrar. Dhe në këndvështrimin tim, meqë jemi sot për Ibrahim Rugovën, nëse Kosova do të dilte nga kjo lojë macja me miun në tryezë me Serbinë dhe me një ekip uniteti do t’i drejtohej Bashkimit Europian duke i thënë ‘ne nuk duam të flasim më me Serbinë se s’kemi çka të flasim me Serbinë ne jemi këtu për të folur me Bashkimin Europian, për të përmbushur të gjitha detyrimet që kemi ne si Republikë e Kosovës, në kontekstin e standardeve ndërkombëtare dhe të Bashkimit Europian dhe për t’u afruar me ju. Pastaj se çfarë bën Serbia, është punë e Serbisë, shkoni dhe merruni me Serbinë”, tha Rama në konferencën “Rugova dhe Perendimi”, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ai tha se Kosova duhet të dalë nga kurthi, ku sipas tij, është futur nga provokimet e vazhdueshme e Serbisë por edhe “për shkak të shfrytëzimit të politikës së jashtme si politikë e brendshme”.
“Por ky konfrontimi macja me miun në tavolinë, këto mbledhjet për t’u mbyllur brenda me orë, vetëm për të dalë pas mbledhjes për të thënë se sa fort i qëndrova unë tjetrit, në mënyrë të dyanshme, kuptohet, këto nuk çojnë asgjëkundi. Dhe unë nuk e kam kuptuar dhe as nuk kam për ta kuptuar ndonjëherë se çfarë lidhje ka e ardhmja e Kosovës, çfarë lidhje ka çdo detyrim që ka Kosova, jo në raport me Serbinë, por në raport me vetveten,që kërkon të hyjë në NATO, BE me se çfarë i bën e çfarë s’bën, çfarë i pëlqen e çfarë s’i pëlqen Serbisë”, tha Rama.
“Serbia mund të mos dojë kurrë t’i qaset idesë se duhet ta njohë kurrë Kosovën. Por kjo nuk duhet ta pengojë Kosovën që të përparojë në pikën kur të gjithë ta pranojnë dhe ta njohin si një shtet model që përmbush të gjitha standardet për të qëndruar me të tjerët në komunitetin e shteteve. Dhe unë jam i bindur që kjo gjë nuk është fantazi. Kjo gjë është e arritshme. Dhe jam i bindur që kjo do ta nxirrte Kosovën nga kurthi ku e ka futur Serbia me provokimet e veta të vazhdueshme, por edhe ku në njëfarë mënyre është futur për shkak të shfrytëzimit të politikës së jashtme si politikë e brendshme”, shtoi ai.
Rama tha se Kosova dhe Shqipëria “nuk janë kërthiza e botës”.
“E thashë edhe më parë: Ne jemi një popull gjithsesi i vogël, kemi dy shtete gjithsesi të vogla. Ne nuk jemi kërthiza e botës. Dhe sa herë kemi menduar se jemi kërthiza e botës e kemi pësuar shumë keq dhe sa herë që kemi kuptuar që duhet të jemi si trimi i mirë me shokë shumë dhe se duhet ta kthejmë investimin e Ibrahim Rugovës dhe të tjerëve në një kapital në të ardhmen, aq herë ne ia kemi dalë ta bëjmë gjënë e duhur”, tha Rama.
Kryeministri shqiptar ta se Kosova i ka “të gjitha” dhe se ajo “duhet t’ia tregojë targën Serbisë dhe të iki përpara”.
“Kosova është shumë e bukur, Kosova i ka të gjitha mundësitë dhe Kosova nuk ka pse të humbi kohë duke vrapuar rreth vetes së vet. I ka të gjitha ato që i duhen, i ka të gjithë partnerët, aleatët që i duhen, i ka të gjitha resurset e veta të mjaftueshme, ka talente, ka njerëz, ka energji, ka forcë, të gjitha. Thjesht dhe vetëm Kosova duhet t’ia tregojë targën Serbisë dhe të iki përpara dhe Serbia pastaj të bëjë çfarë të dojë se në fund të fundit nuk mund të mbahet fati i Kosovës i lidhur me interesat apo me pafuqinë e Serbisë për t’u përballur deri në fund me të shkuarën e vet”, tha Rama.