Kompania ndërkombëtare paralajmëron Qeverinë për tenderin në Kompleksin Adem Jashari: Do ta ndjekim këtë çështje deri në Gjykatën e Strasburgut
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e udhëhequr nga Hajrullah Çeku, pezulloi sot tenderin për Kompleksin Memorial Adem Jashari. Në njoftimin e lëshuar nga kjo Ministri, “arsyeja e pezullimit të aktivitetit të prokurimit është për shkak të paraqitjes së një dokumenti nga një operator ekonomik i depozituar në Autoritetin Kontraktues”. Ministria e Çekut, më pak se një javë më parë lëshoi tender mbi 5 milionë euro më shumë se vlera e parashikuar e investimit për këtë tender. Vlera e parashikuar në fillim ishte 3 milionë euro, megjithatë të njëjtit ia dhanë një kompanie të huaj në vlerë prej afër 8 milionë euro.
Enis Rrustemi, Periskopi
Burime të Periskopit bëjnë të ditur se një kompani ndërkombëtare, në koncerzium me një kompani vendore – të cilët ishin eliminuar nga MKRS-ja për këtë tender – kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut në Francë.
“Nuk do të lëmë gurë as dru pa lëvizur deri në Gjykatën Evropiane në Strasbur për padrejtësistë dhe shkeljet që na janë bërë si koncerzium në rastin e tenderit për Kompleksin Memorial Adem Jashari”, i tha ky burim Periskopit.
Duke filluar qysh prej vitit 2021, Kurti e Çeku u zotuan se do të formojnë një komision të posaqëm, për renovimin e kompleksit Memorial “Adem Jashari”. Madje, premtimet ishin që në fund të dhjetorit të vitit 2021 do të fillonin punimet në Prekaz.
Megjithatë, do të kalonin edhe pothuajse 3 vite të tjera për t’u marrë hapa të ardhshëm në këtë drejtim.
Vitin e kaluar Ministri Hajrullah Çeku përmes Facebook kishte njoftuar për shpalljen e konkursit për këtë tender.
“Ky është ndër proceset dhe projektet më delikate të Republikës sonë, kemi punuar me hapa të sigurt, pa u ngutur, por edhe pa humbur kohë. Nuk do të kursejmë asgjë për të pasur një kompleks memorial të përmasave botërore, çfarë është edhe figura e Adem Jasharit. Një kompleks memorial që do të rrëfejë dinjitetshëm dhe me standard të arrirë artistik rezistencën e popullit dhe luftën për liri, pavarësi e bashkim”, thuhej në njoftimin e ministrit Hajrulla Çeku.
Por jo gjithçka, siç ishin fjalët e premtimet e kryeministrit Kurti për rëndësinë dhe seriozitetin që ka kompleksi Memorial Adem Jashari po shkojnë siç duhet. Akuzat e rënda që bënte në Kuvendin e Kosovës ndaj qeverive të kaluara për “vjedhje e shkelje” nëpër tendera, po hasen edhe në kohën kur po i njëjti u zotua se do t’i merrte vetë përsipër punimet në Prekaz. /Periskopi/