Kastrati: Kërcënim për tërë rajon, jo veç për Kosovën – politika Millosheviçiane po vazhdon

Kastrati: Kërcënim për tërë rajon, jo veç për Kosovën – politika Millosheviçiane po vazhdon

Përmes “Kuvendit Gjithëserb” që u mbajt të shtunën në Beograd, Serbia nuk e ka kërcënuar vetëm Kosovën, por gjithë rajonin.

Kështu vlerëson në një bisedë për Albanian Post, ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati.

“Për mendim tim ky nuk është kërcenim për Kosovën, por për gjithë rajonin, sepse Serbia pe thellon idenë kamotshme të “Serbisë së Madhe”, tha Kastrati.

Por, për ish-ushtarakun Kastrati, një gjithë të tillë Serbia e udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiç do ta ketë vështirë të implementojë në terren, meqë sipas tij, tash Kosova e ka ushtrinë e vet.

“Do e ketë të vështirë, sepse ne jemi të armatosur dhe më të përgatitur, ‘politka Millosheviçiane’ është duke vazhduar dhe do të përfundojë siç ka përfunduar ai”, ka potencuar ish-gjenerali.

Megjithatë, ai “ngre alarmin” se institucionet e sigurisë në vend duhet të jenë “syqel”, pasi Beogradi është vazhdimisht i interesuar për “ndezjen e një konflikti të ri” në rajon.

“Institucionet duhet të jenë syqel, jo vetëm për këtë, por edhe për shkak të situatë së brishtë në Kosovë. Rrezikun e kemi nga brenda, sepse po tentohet që armatosen serbët lokalë”, shtoi Kastrati.

Ndryshe, të shtunën, në Beograd, është mbledhur i ashtuquajturi “Kuvendi Gjithëserb”, në të cilin është miratuar edhe një deklaratë e përbashkët në mes të Serbisë dhe Republikës Srpska.

Kjo deklaratë, siç pretendoi presidenti serb, ka të bëjë “për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të të drejtave politike dhe të ardhmes së përbashkët të popullit serb”.

Prezent në këtë mbledhje ka qenë edhe Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Millorad Dodik, i cili së fundmi është duke kërkuar shkëputjen e RS-së nga Bosnje e Hercegovina, madje për këtë ai ka propozuar një referendum.

Dodik, të shtunën është shfaqur në delir të plotë, pasi që ka deklaruar se “Kosova është pjesë e Serbisë, por edhe e RS-së”.

Shpërndaje në: