“Tigri prej letre”- Gërvalla i rikthehet akuzave ndaj Borrellit për masat e vendosura ndaj Kosovës
Qeveria e Kosovës nuk ka pritshmëri të mëdha se javën e ardhshme do të largohen masat ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, për shkak siç thonë qasjes joparimore të shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Në ekzekutiv deklarojnë se kryediplomati evropian ka pasur qasje të padrejtë ndaj Kosovës, madje e kualifikojnë si të paefektshme edhe mundësinë që në raportin e Borell të përfshihen edhe zhvillimet e fundit në veri sa i përket dinarit dhe shpronësimeve.
Sipas tyre, Kosova s’ka arsye që të shqetësohet edhe nëse nuk hiqen masat, por duhet të pres strukturat e reja në BE për t’i parë cilat do të jenë zhvillimet. Mundësinë e vazhdimit të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës e shohin edhe njohësit e integrimeve evropiane.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, thotë për KP, se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për deeskalim në veri, andaj para se të zëvendësohen institucionet nga zgjedhjet në BE duhet të hiqen masat ndëshkuese ndaj vendit.
Skeptik për largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës është edhe njohësi i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi.
Sipas tij, BE-ja mund të vazhdojë status-qou e masave për shkak të hapave të fundit të qeverisë në lidhje me ndalimin e dinarit dhe shpronësimet në veri.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës kur Kosova dërgoi në ndërtesat e komunave kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.