“Qeveria s’mund të bëjë ç’të dojë”, Hovenier ia përsëritë Kosovës kërkesën për koordinim me ShBA-të
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka folur për mosmarrëveshjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Qeverisë aktuale të drejtuar nga Albin Kurti.
Ai në një intervistë për VOA ditën e djeshme, tha se ShBA e ka në “ADN” mbështetjen për Kosovën, megjithatë, ai theksoi se kjo nuk do të thotë që një qeveri e caktuar mund të bëjë çfarë të dojë.
“Nuk mendoj se do të ketë ndonjëherë një moment kur qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe amerikanët nuk do të mbështesin njerëzit dhe projektin e Kosovës. Është pjesë e ADN-së tonë. Thuhet se Kosova është vendi më pro-amerikan në botë, por mendoj se edhe Shtetet e Bashkuara janë vendi më pro-Kosovë në botë. Por kjo nuk do të thotë se një qeveri e caktuar mund të bëjë ç’të dojë. Nuk do të thotë se një qeveri e caktuar mund të marrë vendime politike për të cilat ne besojmë që minojnë atë që po mundohemi ta arrijmë bashkë, që është integrimi në strukturat evropiane dhe euroatlantike, afrimi drejt anëtarësimit në BE, anëtarësimit në NATO, anëtarësimit në Këshillin e Evropës.” – tha ambasadori amerikan.
Ai ka shtuar se ndihet komod me atë që po i kërkojnë Kosovës, pasi kjo është në të mirë të vendit.
“Qeveria duhet të marrë disa vendime të vështira. Kërkojmë që të bëjë një punë më të mirë duke treguar ndjeshmëri ndaj shqetësimeve të komuniteteve pakicë. Po kërkojmë që të punojë më me efikasitet me vendet dhe organizmat të cilat do ta ndihmojnë për t’i arritur ato qëllime. Ajo që po kërkojmë është më pak veprime të njëanshme dhe më shumë bashkëpunim.” – u shpreh Hovenier.
Ndryshe, të enjten, shtetet e QUINT-it kanë shprehur keqardhje për vendimin për shpronësimin e pronave në veri të vendit.
“Disa nga misionet tona kishin ndarë më herët me Qeverinë vlerësimet e ekspertëve juridikë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, duke treguar se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit. Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar.” – thuhej në reagimin e tyre.
Më tej, këto vende janë ankuar se Qeveria e Kosovës nuk ka pritur të gjitha procedurat e hapura gjyqësore para vendimit.
“Përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, na vjen keq që qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim”.