Shtyhet ceremonia e vënies së gur-themelit të shkollës Ekonomike në Podujevë, Gjykata Komerciale pezulloi përkohësisht ekzekutimin e kontratës
Komuna e Podujevës ka bërë të ditur se është shtyrë ceremonia e vënies së gurit themelit për ndërtimin e objektit të Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini”, në të cilën ceremoni ishte paraparë të merrte pjesë kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Në njoftim bëhet e ditur se arsyeja e shtyrjes së kësaj ceremonie është një vendim i Gjykatës Komerciale, e cila e ka pezulluar përkohësisht ekzekutimin e kontratës lidhur me ndërtimin e këtij objekti.
“Kontrata për ndërtimin e objektit të Shkollës së Mesme Ekonomike është nënshkruar më 27 maj. Ndërkohë, edhe pse vendimi i Gjykatës Komerciale është marrë më 30 maj, ky institucion nuk e ka njoftuar asnjëherë Komunën e Podujevës me vendimin e saj.
Ky vendim i është dërguar nga operatori ekonomik ankues kabinetit të kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi mbrëmjen e së premtes, por jo edhe nga Gjykata Komerciale”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Më tej thuhet se aktiviteti i prokurimit lidhur me ndërtimin e këtij objekti shkollor ka nisur në vitin e kaluar dhe pas shqyrtimit të ankesës së operatorit ekonomik nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, ky institucion kishte marrë vendim, nëpërmjet të cilit i ka dhënë të drejtë operatorit ekonomik me të cilin Komuna ka lidhur kontratë.
Për ceremoninë e vënies së gurit themeltar të këtij objekti do të njoftoheni me kohë.