Kurti lavdëron AKI’në dhe Policinë e Kosovës
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka vlerësuar lartë punën e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe Policisë së Kosovës duke thënë se po e bëjnë një punë të shkëlqyeshme.
Duke folur në një intervistë për A2CNN Kurti për Serbinë dhe tentimet e saj për destabilizim në Veri nëpërmjet Milan Radoiçiq, Kurti thotë se ata “po dëshirojnë të punojnë me struktura kriminale në mungesë të mbështetjes popullore”.
“Serbia në Ballkan sillet si një Rusi e vogël dhe Rusia e vogël e ka një Putin të vogël, i cili është Aleksandar Vuçiq, por e ka edhe Prigozhinin e vogël, i cili është Milan Radoiçiq. Në dallim nga Prigozhini, ky i Serbisë është i lirë dhe mbrohet nga pushteti dhe merr pjesë në fushatë zgjedhore për presidentin e Serbisë” ka theksuar Kurti.
“Unë besoj se drejtësia mund të vonojë, por do t’i kapë këta. Policia dhe inteligjenca te ne po bëjnë punë të shkëlqyer, nganjëherë edhe gjyqësori me prokurorinë, por këto dy të fundit do të mund të bënin shumë më mirë dhe shumë më tepër”, ka shtuar Kryeministri.
Kurti tha më tej se si po çlirohen serbët në veri nga grupet kriminale. “Veriu kurrë nuk ka qenë më i sigurt dhe kriminelët kurrë nuk kanë qenë më të rrezikuar. Paniku i tyre përcjellë edhe rrezik për qytetarët dhe forcat e sigurisë. Ata janë të interesuar për destabilizim dhe konflikte të reja”, u shpreh ai.