Miskoski ‘nervozohet’ me Gashin pasi tha “Kosova atdheu im”: Të kërkojë falje urgjentisht, Maqedonia është atdheu i tij
Kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoksi, e ka qortuar Kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashin, për deklaratën që e ka bërë se atdheu i tij është Kosova, duke i kërkuar që menjëherë të kërkojë falje për këtë.
Këto komente, Mickoski i ka bërë në një konferencë për media pasi që mori mandatin për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, pasi që u pyet nga gazetarët për deklaratën e Gashit, për të cilën tha se nuk e ka dëgjuar.
“Nuk e kam dëgjuar deklaratën e Afrim Gashit, unë mendoj se atdheu i tij është Maqedonia. Nuk kam dëgjuar për deklaratë të tillë, por nëse ka deklaratë të tillë, atëherë mendoj se duhet t’u kërkojë falje qytetarëve të Maqedonisë”, tha Mickoski, transmeton “TV21”.
Kërkim faljen Gashi, sipas Mickoski-t, duhet ta bëjë sa më shpejt.
“Sepse nga këtu merr rrogë dhe nga ana e maqedonasve, shqiptarëve, turqve , serbëve, vllahëve, boshnjakëve është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Maqedonisë”, potencoi.
Para disa ditëve, Gashi, në një intervistë televizive, pasi që ishte pyetur për Kosovën, prej nga e ka edhe prejardhjen, kishte thënë se e konsideron atdhe të tij.
“Për mua është atdheu, është vendi i prindërve të mi, dhe bashkëndjejë me gjithçka që ndodh në Kosovë. Nuk ka asnjë proces politik, ekonomik e shoqëror që nuk e ndjek atje dhe e ndjek me shumë vëmendje si të jem vendas”, kishte deklaruar Gashi.
Gashi është zgjedhur në krye të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut pas marrëveshjes politike në mes të koalicionit “VLEN” – pjesë e të cilit është edhe ai – dhe partisë nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE.