“Dardanët” reagojnë pas humbjes: Nevoja për këndellje është serioze
Tifo-grupi kosovar “Dardanët” kanë kërkuar këndelljen e Përfaqësues së Kosovës pas disfatës nga Norvegjia të zhvilluar të mërkurën.
“Dardanët” kanë bërë thirrje për këndellje te skuadra para ndeshjeve të Ligës së Kombeve, që do të nis në shtator.
“Nevoja për këndellje është serioze. Tifozët Dardanë meritojnë të jetojnë me emocionet e gëzimit dhe të triumfit. Sidoqoftë, edhe pse ishte humbje e hidhur sot, si ndeshje miqësore nuk e përcakton fatin tonë që na pret gjatë ndeshjeve kualifikuese prej shtatorit e tutje. Besoj fuqimisht në taktikat dhe vizionin e përzgjedhësit gjerman Foda. Ndërsa Dardanët do të përkujdesen që kori “Kosova, Kosova” të dëgjohet fort gjithmonë, në Kosovë, Skandinavi apo kudo, siç u vërtetua sot. Asnjëherë nuk do t’ia kthejmë shpinën kësaj kombëtare as ne si tifogrup, as unë si individ. Kosova, dashuria e vetme e zemrës sime!”, thuhet në reagimin e tyre.
Kosova u mposht nga Norvegjia me rezultat 3:0. Të tre golat për Norvegjinë i shënoi sulmuesi Erling Haaland.