Djali i Tefik Mustafës: Ndihemi të rrezikuar ta vizitojmë në burgjet e Serbisë, po mbahet padrejtësisht
“Dy herë jemi dëgjuar në telefonatë me të, më tutje nuk kemi dëgjuar, vetëm përmes avokatit dhe përmes zyrës koordinuese që është atje në Beograd”.
Kështu thotë Qemajl Mustafa, teksa ka rrëfyer momentin kur është arrestuar babai i tij, Tefik Mustafa, më 1 qershor nga autoritetet serbe, nën dyshimet për “krime lufte”.
Në RTV Dukagjini, Qemajl Mustafa ka thënë se nuk kanë pasur mundësinë për ta vizituar babain, për shkak se ndihen të rrezikuar.
Nga informacionet që ka marrë prej avokatit dhe zyrës ndërlidhëse në Beograd, Qemajl Mustafa thotë se babai i tij, Tefiku, nuk është vërejtur se është torturuar po rrahur.
“Babai është arrestuar duke qarkulluar në drejtim të Serbisë në pikën kufitare Merdar, aty është ndaluar, kanë vazhduar procedurat e burgimit, e kanë dërguar në stacionin e Kushumlisë e më pas në Beograd. I është caktuar masa e paraburgimit prej 30ditësh. Me avokatin kemi koordinime, çdo ditë prej ditës që i është caktuar masa e paraburgimit, ne nuk kemi pasur mundësi që të shkojmë atje sepse po e ndiejmë veten si të rrezikuar, avokati dhe zyra ndërlidhëse kanë shkuar dhe e kanë vizituar sot, e kanë stimuluar pa, e kanë qetësuar, sipas tyre është çdo gjë në rregull, e kam pyet për ndonjë torturë apo rrahje, kanë thënë jo nuk ka diçka nuk është vërejtur”, u shpreh ai.
Familja Mustafa konsideron se Tefiku po mbahet padrejtësisht në burgjet e Serbisë.
Qemajl Musatafa ka theksuar se babai i tij që nga viti 1997 ka emigruar drejt Gjermanisë dhe deri në vitin 2004 nuk ka mundur të bëjë lëvizje të lirë në drejtim të Kosovës.
“Ai mbahet padrejtësisht. Gjatë kohës së luftës nuk ka qenë në Kosovë, prej 1997 ka emigruar në Gjermani, dhe prej asaj kohe deri më 2004 nuk ka pasur mundësi të bëjë lëvizje të lirë prej Gjermanisë në Kosovë. Deri në vitin 2004 nuk i është kthyer në Kosovë. Tash atij po i bëhet akuza që gjoja më 1999 sipas akuzës, po me duket shumë e rëndë kur nuk ka njeriu të bëjë me një punë me të akuzu është shumë keq”, shtoi më tej ai.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Beograd, ia ka caktuar shtetasit të Kosovës, Tefik Mustafës, masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
“I pandehuri M.T është i akuzuar për kryerje të krimeve të luftës kundër popullatës civile, si bashkëkryes”, është thënë në vendim.
Sipas vendimit, masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrezikut të ikjes së të pandehurit.
Ministria e Jashtme e Kosovës e ka konsideruar ndalimin e Mustafës si arbitrar dhe ka kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.