“S’e di kush janë ata që po luftojnë”, “Janë dorë e zgjatur e Serbisë’, ishin fjalët e Rugovës për UÇK-në, thotë dëshmitari Bytyçi

“S’e di kush janë ata që po luftojnë”, “Janë dorë e zgjatur e Serbisë’, ishin fjalët e Rugovës për UÇK-në, thotë dëshmitari Bytyçi

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, gazetari Nuhi Bytyçi tha se ish-Presidenti Ibrahim Rugova kishte thënë për UÇK-në se nuk e dinte se kush janë ata që po luftojnë dhe se janë dorë e zgjatur e Serbisë.

Bytyçi tha se lidershipi politik në Prishtinë paraqitej sikur nuk ndodhte asgjë në zonat e luftës dhe se i mungonte gatishmëria për ta mbështetur UÇK-në, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“E ka thënë disa herë në konferencat me gazetarë që i ka mbajtur në Prishtinë çdo të premte. Këto janë publike. Unë nuk kam bërë intervistë, por kur e kanë pyetur gazetarët disa herë ashtu është shprehur. Unë e thash edhe më herët, lidershipi politik i Prishtinës nuk ka qenë në nivel të përgjegjësisë që kishte në ato rrethana të luftës. Nuk e kishte guximin por ishte shumë oportunist, paraqitej sikur nuk po ndodhte asgjë në zonat e luftës edhe pse atje zhvillohej luftë për liri edhe mungonte gatishmëria për ta mbështetur në të gjitha mënyra Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për ta mbështetur popullatën civile, për ta mbështetur luftën për liri”, tha ai.

Sipas tij, për shkak të këtij oportunizmi ndodhën shumë zhvillime jo të mira në zonat e luftës.

Por, përpara kësaj, avokati i Hashim ThaçitLuka Mishetiq i lexoi dëshmitarit një fragment nga libri i tij, në të cilin kishte folur për këto qëndrime të Rugovës.

“Paragrafi i parë thotë kështu; Derisa në Drenicë dhe Dukagjin iu bëhej rezistencë forcave ushtarake dhe policore serbe, në Prishtinë diplomatët amerikanë dhe evropianë vinin për të biseduar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugovën. Në të njëjtën ditë kur Rugova u takua me diplomatët amerikanë Richard Holbrooke dhe Robert Gelbard, Rugova kishte deklaruar se ‘Nuk e di kush janë këta që po luftojnë’ dhe ‘ata janë dorë e zgjatur e Serbisë”, citoi Mishetq.

Sipas tij, aty thuhej se Gelbard kishte thënë që UÇK-ja mund të përfshihej në listën e organizatave terroriste.

“Ndërkaq, diplomati amerikan Gelbard kishte deklaruar se ‘UÇK-ja mund të përfshihet në listën e organizatave terroriste’. Në anëtjetër, Serbia dëshironte ta tregonte forcën, thjesht nuk ishte e gatshme të bisedonte me shqiptarët për të ardhmen e Kosovës”, tha Mishetiq, duke lexuar fragment nga libri “Libri i Luftës” me autor tani Nuhi Bytyçin.

Më pas, dëshmitari u pyet se a ka parë ndonjë ragim prej UÇK-së lidhur me deklarata e Rugovës, por që u përgjigj duke thënë se ata nuk kanë pas urrejtje për LDK-në.

“Kam qarkulluar me ditë të tëra në zonat e luftës dhe nuk kam pas kohë që të përcjell mediat, por e di që në radhët e UÇK-së nuk ka pas urrejtje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, as ndaj Rugovës e as ndaj askujt”, tha dëshmitari.

Ai theksoi se nuk ka qenë lufta për pozita, por për ta çliruar Kosovën.

Tutje, dëshmitari tha se Rugova mendonte se Kosova mund të çlirohej pa luftë por mjete paqësore.

“Ai (Rugova) mendonte se Kosova mund të çlirohej pa luftë, me mjete paqësore, me konferenca për shtyp, me apele për paqe”, tha ai.

Bytyçi tha se për shkak të qëndrimeve të Rugovës, populli kishte hezitim a të luftonte a të priste urdhrin e tij për luftë.

Ai e pranonte, por nuk e mbështeste si duhet si lider i popullit shqiptar, si lider politik si ishte. Kishte një përkrahje të madhe të popullit. Populli për atë kishte hezitime a të luftonte apo të priste urdhrin e Rugovës. Rugova nuk jepte urdhër për luftë”, tha dëshmitari.

Gazetari Nuhi Bytyçi gjatë dëshmisë së tij foli edhe për Hashim Thaçin për të cilin tha se e ka njohur si zyrtar për informim, me të cilin ka bashkëpunuar ngushtë.

Zyrtar për informim. Kam bashkëpunuar ngushtë me zotëri Thaçin në të gjitha punët që kam kryer si gazetar në zonat e luftës. Ai ka qenë përgjegjës për informim. Nuk e di që është marrë me çështjet e tjera. Sipas informacioneve të mia, ai është marrëv etëm me informim deri vonë, pastaj kur është zgjedhur përfaqësues politik i UÇK-së, tha ai.

Ai gjithashtu u pyet nëse e kishte parë Thaçin që të jepte urdhra në UÇK, mirëpo përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua.

Mishetiq e pyeti dëshmitarin për një diskutim që kishte pasur me Hashim Thaçin në shtator të 1998-ës në prani të Jakup Krasniqit dhe Bislim Zyrapit. Bytyçi e cilësoi këtë diskutim si të pakëndshëm.

“Më kujtohet ky diskutim i pakëndshëm. Pas xhirimeve që bëra kryesisht në zonën e Drenicës pëdjegiet, për vrasjet e masakrat që kishin ndodhur në zonën e Drenicës, por edhe zonat tjera nga policia ushtrisë serbe i bë bashkë me Abaz Zekën ato imazhe që ishin të tmerrshme e informova zotëri Thaçi  që i kam bërë këto xhirime”, tha Bytyçi.

Ai tha se Thaçi insistoi që në fund të dokumentarit të shënohet se emisionin e mbështeti Drejtoria për Informim e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Unë i thash që nuk i bën nder Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në titra të dalë që e mbështeti kur emisioni ka imazhe kryesisht pëdjegie, për vrasje, për masakrat ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk e kishte arritur që t’i bënte rezistencën e duhur forcave ushtarake dhe policore serbe, të cilat ishin shumëfish më të mëdha, shumëfish më të pajisura për armatim”, tha dëshmitari.

Gjithashtu, dëshmitari tregoi edhe si u zgjidh kjo mosmarrëveshje në mes tij dhe Hashim Thaçit.

“Unë mbrojta atë etikën time profesionale, insistova që të mos shënohet ashtu. Unë u konsultova… Jam shumë njeri i arsyeshëm dhe tolerant dhe u konsultova me zotëri Krasniqin, i cili ishte më i moshuar dhe më këshilloi dhe më tha është mirë që ta respektosh sugjerimin e zotëri Thaçit edhe unë sugjeroj tha që ta qesësh titrën që e mbështeti Drejtoria për Informim e UÇK-së”, tha dëshmitari.

 interes të informimit që të vazhdojë  bashkëpunimin si gazetar në zonat e luftës, se pa përkrahjen e UÇK-së dhe të popullit nuk do të mund ta realizonte detyrën e tij, thotë se vlerësoi që duhet të lëshojë pe.

“Dhe të mos bëhem kryeneç dhe në interes të informimit ta qes atë titër në fund të dokumentarit dhe ashtu veprova. Nuk zgjati shumë ky komunikim i pakëndshëm”, tha dëshmitari.

Shpërndaje në: