“Alo zemlajk” – Ende asnjë fjalë nga pushteti për bisedën e publikuar mes Kusarit e kriminelit serb, Milan Radojçiq

“Alo zemlajk” – Ende asnjë fjalë nga pushteti për bisedën e publikuar mes Kusarit e kriminelit serb, Milan Radojçiq

Ditë më parë është publikuar një bisedë e shkurtër mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe kriminelit serb Milan Radojçiq, derisa për këtë çështje nuk pati asnjë reagim nga Qeveria as eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Biseda më pak se një minutë ishte ndërmjetësuar nga Sllavko Simiq i Listës Serbe.

“Kolege, kemi ardhur te Milani, dëgjohu me të”, i thotë Simiq deputetes së LVV-së.

“Në rregull”, ia kthen Kusari-Lila.

“Alo, (vendase) zemlajke, a po nihemi?”, e pyet Milan Radoiçiqi.

“Po, po të dëgjoj”, ia kthen Kusari-Lila.

Radoiçiq: “Qysh je? Qysh po kalon?

Kusari-Lila: “Qe, qe në Kuvend i kam pasur disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi”.

E lidhur me këtë bisedë telefonike ka pasur reagime në vend.

Ish inspektori i AKI-së Burim Ramadani, përmes një reagimi në Facebook, Ramadani ka thënë se ‘raportimi’ tek Radoiçiq është cenim i sigurisë kombëtare.

Kjo pasi theksoi se gati 4 vjet pasi Radoiçiqit i ishte bastisur banesa dhe rreth 7 muaj pasi ishte futur në Listë të Zezë, Kusari “dëgjohet me zë duke folur Radoiçiqin në telefon”, dhe duke i “raportuar” që sapo i përfundoi takimet në Kuvend.

Ramadani i ka kërkuar Kusari-Lilës që të japë dorëheqje dhe të rrëfehet për të gjitha detajet.

“…Madje, duke i “raportuar” që sapo i përfundoi takimet në Kuvend dhe, pasi që u lirua (nga obligimet) po shkon në shtëpi.  Pra, në pak sekonda që dëgjohet telefonata, ajo më shumë ishte Raportim për agjendën ditore të Mimozës!  Mimoza, dorëhiqu sot dhe rrëfeu për të gjitha detajet me saktësi”.

“Hapja rrugën Prokurorisë të bëjë punën pa presionin e pushtetit”, shkroi Ramadani.

Reagime ka pasur edhe nga deputetë opozitarë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, ka reaguar në lidhje me bisedën telefonike që raportohet të jetë zhvilluar mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe terroristit, Milan Radojçiq.

Ai në një prononcim për Periskopin ka thënë se veprimi i Kusarit është tipik i Qeverisë “Zdravo”.

Qalaj tha se Qeveria në publik bëhet kinse po shtrinë sovranitetin në veri, ndërsa prapa perdeve koordinohet me Rajdociqin.

“Veprim tipik i Qeverisë “ Zdravo”. Publikisht kinse po e shtrinë “Sovranitetin” në veri të vendit , ndërsa prapa perdeve qdo veprim në kordinim me Milan Radojcic. Mashtruese , manipuluese dhe cenuese e sigurisë nacionale”, ka thënë Qalaj për Periskopin.

Ndërkaq, pas publikimit të videos ka reaguar edhe Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi.

Ai në një përgjigje të shkurt për Periskopin e konsideron rrezik për sigurine e vendit.

Rukiqi potencoi se koordinimi me terroristë është akt kriminal

“Skandaloze, rrezik për sigurinë kombëtare dhe tregim i qartë i asaj se cka është partia në pushtet. Koordinni me terroristë është akt kriminal”, ka deklaruar Rukiqi per Periskopin.

Ndryshe, Radojiçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar kishte arritur që pas sulmit terrorist të arratisej në Serbi.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Ai ishte arrestuar nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Organizata ndërkombëtare policore “INTERPOL”, ka lëshuar një urdhër-arrest për kryekriminelin Milan Radoijçiç dhe 11 persona të tjerë për sulmin terrorist në Banjë./Periskopi

 

Shpërndaje në: