Qeveria me qëndrim të ‘vakët’ për arrestimin e kosovarit nga Serbia – Ish zvministri: Reagimi i tyre asocion me ndonjë OJQ

Qeveria me qëndrim të ‘vakët’ për arrestimin e kosovarit nga Serbia – Ish zvministri: Reagimi i tyre asocion me ndonjë OJQ

Qëndrim të ‘vakët’ pati Qeveria e Kosovës për arrestimin e kosovarit, Tefik Mustafa nga ana e Serbisës. Tash e tri ditë ai po mbahet në burgun e Serbisë, ndërsa nga Qeveria e Kosovës përvecse një reagimi publik, nuk kanë ndërmarrë asgjë për këtë. Ministria e Jashtme e Kosovës e ka konsideruar ndalimin e Mustafës si arbitrar dhe ka kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.

“Reagimi i institucioneve ka qenë automatik, si këngë korale, pasi kanë ndodhur arrestimet. Sidomos për këto dështime dallohet MPJD, që ka përgjegjësi ligjore dhe morale të trajtojë me seriozitet këto raste”, është thënë në reagimin publik të KMDLNJ-së.

Për këtë,edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Kosovë e ka kritikuar të hënën Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës (MPJD) për mënyrën e reagimit ndaj arrestimit të një shtetasi të Kosovës në pikëkalimin kufitar të Kosovës me Serbinë, Merdarë.

Njëjtë u shpreh edhe Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.

Ai për Periskopin ka thënë se Institucionet e Kosovës duhet të vënë në lëvizje mekanizmin diplomatik për të rritur presionin ndërkombëtarë ndaj Serbisë, derisa reagimin e tyre e ka konsideruar si të ndonjë OJQ-e.

“Kjo mendësi dhe kjo sjellje në kundërshtim me cdo norme ligjore dhe në kundërshtim të hapur me të gjitha konventat ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, duhet të vëhet në pah nga Institucionet e Kosovës me veprime me aktive duke e vënë në lëvizje mekanizmin diplomatik me qellim rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë për lirimin e qytetarëve të pafajshëm shqiptar dhe për ndaljen e kësaj politike hegjemoniste serbe”, ka thënë ai për Periskopin.

Por kjo mund të jetë edhe e vështirë.

Ish-zëvndësministri nuk e hedh poshtë mundësinë se Qeveria për shkak të moskoordinimit, e ka dëmtuar edhe mbështetjen ndërkombëtare në këso rastesh.

“Kam frikë se Qeveria e Kosovës me moskoordinimin e disa veprimeve operacionale në fushën e sigurisë (pavarësishtë se ishin veprime brenda kornizës ligjore e kushtetuese), e ka dëmtuar mundësinë që në raste kur mbështetja ndërkombëtare është e nevojshme si në rastin konkret, ta përdorë këtë mundësi duke nxitur një reagim të ashpër ndërkombëtar ndaj këtyre veprimeve joligjore në antihumane të strukturave shtetërore serbe”, u shpreh ai.

Tefik Mustafa është arrestuar më 1 qershor nga autoritetet serbe, nën dyshimet për “krime lufte”.

Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës, për siç është thënë, dyshimet se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-99.

Më 17 prill të këtij viti, autoritetet serbe e kanë arrestuar shtetasin tjetër të Kosovës, Sadik Durakun, nën dyshimet e njëjta, në njërin prej pikëkalimeve kufitare Kosovë-Serbi.

Familjarët e tij i kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Duraku ka jetuar në Angli në atë periudhë, bashkë me familjen e tij./Periskopi

Shpërndaje në: