Deklarohen për fajësinë ish-zyrtarët policorë dhë të tjerët, të akuzuar për korrupsion
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën ndaj ish-zyrtarëve policorë dhe të tjerëve, që po akuzohen për korrupsion, tre prej tyre janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa dy prej tyre nuk janë deklaruar lidhur me fajësinë.
Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Blerim Potera, avokati Naim Rudari ka kërkuar nga gjykata që ta ndërpres procedurën gjyqësore, pasi që sipas tij hetimi është dashur të përfundojë brenda dy viteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, përcakton se kur fillohet hetimi, i njëjti duhet të përfundojë brenda dy viteve, e po që se brenda dy viteve nuk është ngritur aktakuzë, apo eventualisht nuk është pezulluar hetimi, ai veprim pushon menjëherë”, tha avokati Rudari.
Këtë shkelje sipas tij, Rudari ka vlerësuar se çdo minutë nga tani e tutje është humbje kohe për gjykatën, prokurorinë dhe avokatët, ndërsa për të akuzuarit është thellim i shkeljes të së drejtave të tyre dhe nëpërkëmbje e dinjitetit të tyre, duke kërkuar edhe njëherë të mos procedohet tutje në këtë shqyrtim gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Këtë kërkesë të avokatit Rudari, e kanë përkrahur të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve.
Lidhur me këtë kërkesë të avokatit Rudari, prokurori Zef Prendrecaj ka konsideruar se pretendimet e avokatit për kalimin e afatit të hetimeve para ngritjes së aktakuzës, janë të pabazuara dhe njëkohësisht ka kërkuar nga gjykata që të vazhdojë me këtë seancë fillestare, ndërsa kërkesen e mbrojtjes mos ta marrë parasyshë.
Për propozimin e avokatit Rudari dhe mbrojtësve të tjerë, kryetarja e trupit gjykues Alltën Murseli ka njoftuar se gjykata do të vendos gjatë procedurës së kundërshtimit për hudhjen e aktakuzës.
Tutje, në këtë seancë është konsideruar e lexuar aktakuza që ngarkon të akuzuarit.
Poashtu, në këtë seancë janë deklaruar të pafajshëm të akuzuarit: Visar Shala, Bedri Januzi dhe Januz Avdili, ndërsa nuk janë deklaruar lidhur me fajësinë të akuzuarit Blerim Potera dhe Muhamet Balaj.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 shkurt 2024 kishe ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve policorë Visar Shala dhe Bedri Januzi, si dhe ndaj Blerim Poterës, Muhamet Balajt dhe Januz Avdili.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Visar Shala më 10 maj 2020 në cilësinë e personit zyrtar – zyrtar policor në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, me dashje kishte keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit për vete dhe për personin tjetër, duke tejkaluar kompetencat e tij.
I njëjti, thuhet se duke e ditur se aksidenti i trafikut nuk është shkaktuar, përpilon dokument të rrejshëm, raport policor të datës 10 maj 2020 në Veternik, aksidenti i shkaktuar nga Feti Mulliqi drejtues i automjetit “VW T4”, ku kishte pësuar Muhamet Balaj drejtues i automjetit “BMW GX7”, pronë e Leasing e Blerim Poterës nga kompania “Leasing Alberti sh.p.k”, duke përpiluar edhe fletëparaqitjen e rrejshme për kundërvajtje të aksidentit të trafikut.
Këto raporte, i pandehuri Shala thuhet se i kishte nënshkruar duke vendosur numrin e ID të tij dhe duke vendosur inicialet e kolegut të tij B.A duke i mundësuar Blerim Poterës dhe Muhamet Balajt të përfitojnë benefite në kompaninë e sigurimit “Illyria” nga paraqitja e dënimit të automjetit mbi bazën e një dokumenti të rrejshëm të përpiluar në keqpërdorim të detyrës zyrtare nga i pandehuri.
Me këtë, Shala po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Tutje, sipas aktit akuzues, të pandehurit Blerim Potera dhe Muhamet Balaj, pas marrëveshjes paraprake në mes tyre, e me qëllim të arkëtimit të parave dhe benefiteve të sigurimit nga kompanitë e sigurimeve, me dashje kontribuojnë në paraqitjen e rrejshme të shkaktarit të aksidentit për dëmtimin e automjetit.
Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, i pandehuri Blerim Potera paraprakisht si pronar me Leasing i automjetit “BMW GX7” dhe pasi që e kishin pranuar dokumentin e rrejshëm i përpiluar në keqpërdorim të detyrës zyrtare nga i pandehuri Visar Shala, raporti për aksidentin e trafikut të datës 10 maj 2020 në Veternik, i shkaktuar nga Feti Mulliqi i cili ishte pronar dhe drejtues i automjetit “VW T4”, me policë të sigurimit “Illyria” duke e paraqitur drejtuesin e automjetit “BMW GX7”, të cilin e drejtonte Muhamet Balaj, si të dëmtuar.
Aty thuhet se i njëjti më 26 maj 2020 e kishin paraqitur kërkesën në emër të Muhamet Balajt për kompensimin e dëmit material të automjetit “BMW GX7”, në kompaninë “Illyria” pasi sipas raportit të rrejshëm shkaktar i aksidentit ishte Feti Mulliqi, i cili e kishte të siguruar automjetin në “Illyria”, e me paraqitjen e tyre të rrejshme të dy të pandehurit e vënë në lajthim kompaninë “Illyria” e cila i kompenson shumën prej 19 mijë e 540 euro e 16 centë të cilat i deponojnë në llogarinë e “Kepa Colors” sh.p.k për riparimin e automjetit “BMW GX7”, për të cilën Blerim Potera ishte kompensuar në shumë prej 19 mijë e 467 euro nga kompania “Scardian”, për dëmtimin e automjetit me rastin e vetaksidentit të datës 9 janar 2020.
Me këtë, në bashkëkryerje të pandehurit Potera dhe Balaj po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i sigurimit”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Shala dhe Januzi më 9 dhjetor 2019 në cilësinë e personave zyrtarë– zyrtarë policorë në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, në bashkëkryerje dhe pas marrëveshjes paraprake kanë pranuar para nga Blerim Potera, ku gjatë zbatimit të masave të fshehta në audio-video incizime të datës 9 dhjetor 2019 vërehen zyrtarët policorë Visar Shala dhe Bedri Januzi që takohen me Blerim Poterën me pseudonimin “Tuli”.
Sipas aktit akuzues, paratë e pranuara nga ai i ndajnë në mes vete, i pandehuri Shala e pranon se ka pranuar 100 euro për raportin pro dormë të datës 17 mars 2020 dhe pastaj edhe 300 euro të tjera për sigurimin e raportit të datës 10 maj 2020, ku shihen në video-incizim duke i ndarë paratë me Bedri Januzin.
Me këtë, Shala dhe Januzi po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Më pas, aktakuza thotë se i pandehuri Potera më 9 dhjetor 2019 në mënyrë të drejtpërdrejtë iu ka ofruar ryshfet-para në vlerë prej 400 euro zyrtarëve policorë Visar Shala dhe Bedri Januzi, që zyrtarët policorë të veprojnë në kundërshtim me detyrën zyrtare dhe për përfitime të tij, ndërsa zyrtari policor Visar Shala ka përpiluar raportet policore të datës 17 mars dhe 10 maj 2020.
Me këtë, i pandehuri Potera po akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënie ryshfeti”.
Tutje, i pandehuri Bedri Januzi thuhet se më 10 maj 2020 me qëllim të arkëtimit të parave dhe benefiteve të sigurimit kinse për lëndim trupor, planifikon të takohet me Jonuz Avdilin dhe të inskenoj aksidentin.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Januzi derisa ishte duke e drejtuar automjetin “Mercedes Benz” dhe ishte i shoqëruar me pasagjeren Gentiana Sllovija sipas marrëveshjes paraprake kur i pandehuri Januz që e drejtonte automjetin “VW Touran” e ndalon automjetin me qëllim të krijimit të kontaktit fizik midis dy automjeteve. Aty thuhet se Januzi e lajmëron “aksidentin” në Policinë e Kosovës të cilët dalin në vendin e ngjarjes dhe në Stacionin Policor Jugu iniciohet rasti i aksidentit me dëmtimet materiale e lëndime trupore për Gentiana Sllovija pasagjere në automjetin e të pandehurit Bedri, i cili i siguron dokumentet mjekësore në emër të Gentiana Sllovijnës.
Tutje, në aktin akuzues thuhet se Sllovija nën përcjelljen, ndihmën dhe udhëzimet e të pandehurit Januzi paraqet kërkesën në kompaninë e sigurimeve “Prisig” dhe si pasojë e paraqitjes së rrejshme të aksidentit-inskenimit të aksidentit, kompania e sigurimeve lidh Ujdinë Jashtëgjyqësore të datës 7 nëntor 2020 për kompensimin e dëmtimeve trupore të Gentiana Sllvoija dhe me urdhër mandatin BKT, mjetet monetare në shumë prej 480 euro nga kompania “Prissig” i kalon tek përfituesi.
Me këtë, i pandehuri Januzi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i sigurimit”.
Kurse, i akuzuari Januz Avdili thuhet se më 10 maj 2020 kishte ndihmuar të pandehurin Bedri Jonuzi në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të sigurimit duke i vënë në dispozicion automjetin e tij të tipit “VW Touran” për të inskenuar aksidentin e planifikuar nga Bedri Jonuzi, duke e ditur se i pandehuri Jonuzi do të inskenojë aksident trafiku, kur janë takuar në rrugën “Nekibe Kelmendi”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Januzi kishte ndaluar derisa ishte duke drejtuar automjetin, i pandehuri Bedri e afron automjetin e tij “Mercedes Benz” dhe e godet në pjesën e pasme automjetin të cilin e voziste Januzi, ku kinse shkaktohet dëm material me lëndime trupore që i pëson pasagjerja Gentiana Sllovija.
Me këtë, i pandehuri Avdili po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i sigurimit”.