Partia në pushtet e Serbisë fiton Beogradin dhe qytete tjera
Partia Përparimtare Serbe (SNS), e cila është në pushtet në Serbi, shpalli fitoren në zgjedhjet e përsëritura lokale në Beograd dhe qytete të tjera.
Pas numërimit të më shumë se 92 për qind të votave, SNS-ja populiste e krahut të djathtë – e mbështetur edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq – mori 52.85 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, tha Komisioni Zgjedhor i Qytetit të Beogradit (GIK).
Ky rezultat do t’i japë asaj 64 mandate në asamblenë komunale prej 110 vendesh të kryeqytetit serb, sipas GIK-ut.
Konkurrentja më e afërt e SNS-së, “Kreni-Promeni”, që do të thotë “Lëviz-Ndrysho”, e kryesuar nga Savo Manojlloviq, doli e dyta me 17.61 për qind të votave, apo 21 mandate, tha GIK-u.
Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi u mbajtën dhjetorin e kaluar, por rezultatet e tyre u kontestuan në 88 qytete, komuna e rrethe, ku u përsëritën më 2 qershor.
Në shumicën e tyre, përfshirë edhe qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sadin, fitoi SNS-ja.
Megjithatë, organizatat që i monitoruan zgjedhjet, raportuan për një varg parregullsish, përfshirë blerjen e votave ose regjistrimin e dyfishtë të votuesve.
Manojlloviq tha se koalicioni i tij nuk do t’i njohë rezultatet.
“Këto ishin zgjedhjet më të parregullta ndonjëherë”, u tha ai mbështetësve.
Serbia është kandidate për t’iu bashkuar BE-së nga viti 2012, por përparimi i saj drejt bllokut duket i ngadalshëm./rel/