ZPS-ja për dëshmitarin e 70: Ishte anëtar i LDK-së, i cili është ndaluar dhe rrahur
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 70-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili është me masa mbrojtëse dhe mbanë kodin W03170 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, prokuror James Pace, dëshmitari ishte anëtar i LDK-së i cili ishte ndaluar së bashku me një person tjetër dhe janë rrahur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Dëshmitari 03170 ishte një anëtar i LDK-së që është arrestuar së bashku me një person tjetër. Gjatë transferimit në një prej vendeve ku këta persona janë ndaluar, dëshmitari 03170, duart e tij dhe duart e një personi tjetër u lidhën dhe ata janë kërcënuar dhe janë rrahur”, tha Pace duke vazhduar më pyetje në sesion privat me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarit.
Deklaratat që dëshmitari kishte dhënë më herët për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse u pranuan si prova materiale.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, prokuroria ka paraparë rreth një orë e gjysmë për pyetje, mbrojtja e viktimave 15 minuta si dhe mbrojtja e të akuzuarve rreth pesë orë e gjysmë.
Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit përveç Jakup Krasniqit i cili po e ndjekë seancën përmes video-lidhjes.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetisht.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij, më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi, më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar, më 26 tetor 2020.