Ambasadori italian: Formimi i Asociacionit është kusht për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
Ambasadori i Italisë në Serbi, Luka Gori, tha se formimi i Asociacionit është kusht për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Duke folur për vonimin e pritjes së Kosovës në Këshillin e Evropës, Gori përkujtoi se në Komitetin e fundit të Ministrave të Këshillit të Evropës, kjo çështje as nuk ishte vënë në rend dite dhe se Italia ishte një nga vendet që ishte pro shtyrjes së pranimit.
“Gjatë komisionit të fundit të Këshillit të Evropës, kjo çështje nuk u fut as në rend dite. Italia ishte një nga vendet që ishte në favor të shtyrjes së pranimit. Ne besojmë se pranimi duhet të lidhet me përparimin thelbësor në formimin e Asociacionit është një nga kushtet që duhet të plotësohet në mënyrë që kandidatura e Kosovës të ketë sukses”, ka thënë Gori në një intervistë për Politico.
I pyetur se pse Italia votoi për miratimin e Rezolutës për Srebrenicën në OKB, ambasadori u përgjigj se qëndrimi i Romës zyrtare për këtë çështje dihet.
“Kjo ishte një nga temat e bisedës mes ministrit Tajani dhe kryeministrit Vuçeviq në Trieste. Ne dëgjuam me vëmendje dhe në frymë miqësore argumentet dhe atë që kishte për të na thënë pala serbe. Qëndrimi ynë për rezolutën dihet. Vota është një fakt, tani ne shikojmë më tej me synimin për të ruajtur bashkëpunimin dhe stabilitetin në rajon”, tha Gori.