Çfarë do të sjellë në Kosovë pranimi i të burgosurve danezë?
Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen për dhënien me qira të burgut të Danimarkës në Gjilan, në të cilën do të vuajnë dënimin rreth 300 të burgosur të dënuar me paraburgim nga gjykata daneze, ndërsa ambicie të ngjashme kanë treguar edhe Belgjika dhe Austria.
Përderisa ky vendim shkaktoi reagime nga organizata të shumta që shqetësohen për të drejtat e njeriut të të burgosurve danezë, mbetet e hapur pyetja se çfarë do të sjellë në Kosovë kjo formë e “turizmit të burgjeve”.
Kuvendi i Kosovës në seancën e saj me 86 vota pro dhe shtatë kundër miratoi projektligjin për marrëveshjen me Danimarkën. Paraprakisht, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, i cili parasheh shfrytëzimin e institucionit penal në Gjilan për ekzekutimin e dënimeve të shtetasve danezë, për të cilin Danimarka do të ndajë 200 milionë euro.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se Kosova do të fitojë 15 milionë euro tarifa fikse në vit nga kjo marrëveshje.
Sipas Traktatit, Danimarka nuk do të dërgojë në Kosovë të burgosur të dënuar për akte terroriste, krime lufte dhe të burgosur me çrregullime të rënda mendore të diagnostikuara që kërkojnë kujdes mjekësor jashtë burgut. Kontrata parashikon që dënimi të kryhet sipas rregullave daneze dhe në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Danimarkës.
Ky veprim i Danimarkës frymëzoi edhe vende të tjera. Deputeti belg Theo Franken, anëtar i partisë konservatore nacionaliste Aleanca e Re Flemish, ka premtuar se pas zgjedhjeve në vendin e tij, do të marrë me qira një burg në Kosovë për të gjithë emigrantët e paligjshëm që aktualisht ndodhen në Belgjikë.
“Pas zgjedhjeve do të ndërtojmë apo marrim me qira një burg në Kosovë për të strehuar gjithë këto mbeturina ilegale, kushton një qindarkë, por do ta bëjë vendin tonë më të sigurt, ka shkruar Franken në rrjetin social “X”.
Propozimi i tij është që të gjithë të burgosurit që nuk kanë letra belge të transferohen në Kosovë, pavarësisht nëse janë shtetas të saj.
“Të gjithë njerëzit që nuk kanë letra do të dërgohen në Kosovë. Nëse socialistët danezë mund ta bëjnë këtë, mund ta bëjmë edhe ne, sepse ne jemi të dy vende evropiane,” shpjegoi Franken në Twitter për RTL.
Austriakët shkuan një hap më tej. Në fillim të majit, Ministri i Brendshëm, Gerhard Karner, diskutoi këtë çështje me Ministrin e Drejtësisë të Danimarkës, Peter Humelgaard.
“Ambjentet e burgjeve, si ato të planifikuara nga Danimarka në Kosovë, janë gjithashtu pjesë e planit të kancelarit austriak Karl Nehmer”, nënvizoi Karner.
Në janar, Nehamer prezantoi “Planin për Austrinë”, i cili në pikën e sigurisë përmban “transferimin e kriminelëve të dënuar nga vendet e treta për të vuajtur dënimin në vendet e treta”.
Derisa vendet evropiane po planifikojnë t’i zgjidhin problemet e tyre urgjente me emigrantët përmes Kosovës, një numër i organizatave të të drejtave të njeriut dhe ekspertëve ligjorë, megjithatë, besojnë se në Kosovë nuk është e mundur të respektohen dhe zbatohen ligjet që zbatohen në Danimarkë. Midis tyre është Komiteti i OKB-së kundër Torturës (CAT), i cili i bëri thirrje qeverisë daneze të anulojë planet e saj.
Edhe Organizata Botërore Kundër Torturës e kritikoi ashpër këtë marrëveshje.
“Danimarka është një lojtar kyç në nivel ndërkombëtar kur bëhet fjalë për luftën për të drejtat e njeriut dhe të drejtën themelore për mbrojtje. Ata kanë mundësinë të japin një shembull të mirë për pjesën tjetër të botës, por tani ata po udhëheqin me shembullin më të keq”, thotë Helena Sola Martin, një këshilltare politike në organizatë.