Pesë Prokurori Themelore dhe ajo e Apelit pritet të bëhen me Kryeprokurorë të rinj në fund të këtij viti
Pesë Prokurori Themelore të Kosovës, konkretisht ajo e Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Pejës si dhe Prokuroria e Apelit në fund të këtij viti këtë pritet të bëhen me kryeprokurorë të rinj pasi që mandati i kryeprokurorëve aktual skadon më 1 janar 2025.
Sipas Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës numër 06/L-056, në nenin 22 sqarohet se mandati i Kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore është 4 vjeçar.
“Kryeprokurori emërohet nga Këshilli për një periudhë katër (4) vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat shtesë”, thuhet në nenin 22 të Ligjit për KPK-në.
Ndryshe, më 24 dhjetor 2020 KPK-ja kishte përzgjedhur për kryeprokuror të Prizrenit Admir Shalën, kryeprokuror të Ferizajt, Shukri Jasharin, të Mitrovicës, Ismet Ujkanin, kurse të Pejës, Agim Kurmehajt dhe të Gjilanit, Arben Kadriun, i cili mandat për të gjithë kishte filluar më 1 janar 2021.
Gjithashtu, në po të njëjtën datë, pra me 24 dhjetor 2020, KPK kishte përzgjedhur në krye të Prokurorisë së Apelit, Xhevdet Bislimi, mandati i të cilit po ashtu do të skadojë më 1 janar 2025.
Sipas rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, në nenin 5 saktësohet se KPK-ja 60 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorëve aktual, shpall konkursin për emërimin e kryeprokurorëve të rinj.
Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2023, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është zgjedhur Zejnullah Gashi dhe kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, të dy me mandat 4 vjeçar, raporton Betimi për Drejtësi.
Gjithashtu, në dhjetor të vitit 2023 në krye të Prokurorisë Speciale ishte emëruar Blerim Isufaj.