Ambasadori italian në Beograd: Asociacioni kusht për pranimin e Kosovës në KiE
Ambasadori i Italisë në Serbi, Luca Gori, tha se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është kusht për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, Gori theksoi se në Komitetin e fundit të Ministrave të Këshillit të Evropës, kjo çështje nuk u vendos as në rend dite dhe se Italia ishte një nga vendet që ishte pro shtyrjes.
“Ne besojmë se pranimi duhet të lidhet me përparimin thelbësor në formimin e Asociacionit. Ky është një nga kushtet që duhet të plotësohet në mënyrë që kandidatura e Kosovës të jetë e suksesshme”, tha Gori.
Ai mes tjerash ka shtuar se këtë vit përveç 15 vjetorit të nënshkrimit të Deklaratës për Partneritet Strategjik, është edhe 145 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Romës dhe Beogradit.
“Marrëdhëniet ndërmjet Italisë dhe Serbisë bazohen në katër shtylla – dialogu politik, bashkëpunimi ekonomik, stabiliteti në rajon dhe perspektiva evropiane e Serbisë. Ne vazhdojmë t’i zhvillojmë marrëdhëniet tona në të katër drejtimet”, tha Gori.
Kujtojmë se Kosova nuk u fut fare në rendin e ditës së takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që u mbajt mëq 16 dhe 17 maj.