Kritikat e Kurtit ndaj Prokurorisë nga juristët vlerësohen vazhdimësi e ndërhyrjes në drejtësi

Kritikat e Kurtit ndaj Prokurorisë nga juristët vlerësohen vazhdimësi e ndërhyrjes në drejtësi

Kritikat e reja të kryeministrit Albin Kurti për mospunë të Prokurorisë Speciale në ndjekjen e krimeve të luftës, po konsiderohen si vazhdimësi e ndërhyrjeve të tij në drejtësi. Njohës të kësaj fushe thonë se kryeministri duhet të përkrah prokurorinë përmes buxhetit dhe ndryshimeve të nevojshme ligjore.

Kritikat e kryeministrit Albin Kurti ndaj Prokurorisë Speciale për performancë të dobët nuk janë të rralla gjatë mandatit të tij.

Por këto të fundit lidhur me mosefikasitetin e Prokurorisë në ngritjen e aktakuzave për gjykim në mungesë për krimet e luftës, po vlerësohen si vazhdimësi e ndërhyrjeve të kryeministrit në drejtësi.

“Deklaratat e tilla janë qartazi ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe kjo përcaktohet sipas Kushtetutës dhe elaborohet tutje nga ana e opinioneve të Komisionit të Venecias. Çka i takon kryeministrit, në rastin konkret, është që t’i propozojë ndryshimet e nevojshme legjislative që janë bërë dhe e dyta eventualisht që të tentojë ta përkrahë përmes ligjit për ndarje buxhetore Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe këtu të përfundojë mandati i tij”, ka thënë Gëzim Shala, Hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Megjithëse Shala vlerëson se Prokuroria nuk i ka dhënë ndonjë prioritet ndjekjes së këtyre krimeve, ai thotë se çdo deklarim tjetër i kryeministrit jashtë këtyre kufijve tregon qartazi ndërhyrje në Prokurorinë e Shtetit.

Me vlerësimet për ndërhyrje të Kurtit në punët e sistemit prokurorial pajtohen edhe avokatë.

“Për mendimin tonë kjo nuk është e duhur dhe nuk duhet të përsëritet, apo të jetë shprehi nga asnjë pushtet e aq më pak nga ana e pushtetit ekzekutiv i cili ka një linjë të komunikimit dhe varësisë nga Ministria e Drejtësisë por edhe të aspektit financiar nga MF. Në situatat aktuale pavarësisht rëndësisë që ka për sistemin ligjor, juridik por edhe sigurimi i qytetarëve, nuk duhet të ketë deklarata që konsiderohen si ndërhyrje”, është shprehur avokati Florim Shefqeti.

PSRK reagoi një ditë më parë përmes një komunikate se deklarime të tilla nga kryeministri e minojnë besimin e qytetarëve dhe ndërhyjnë në pavarësinë e institucionit.

Kurti ka kritikuar shpesh Prokurorinë gjatë pjesës së parë të këtij viti, kryesisht në për përvjetore të masakrave të kryera nga serbët.

Kurse PSRK-në, Kurti e kishte kritikuar edhe në fundin e vitit të kaluar, për mos-ngritjen e asnjë aktakuze për sulmin terrorist në Banjskë.

Shpërndaje në: