Kritikat e Kurtit ndaj Prokurorisë Speciale: Ndërhyrje në drejtësi dhe shpikje për larguar vëmendjen nga dështimet

Kritikat e Kurtit ndaj Prokurorisë Speciale: Ndërhyrje në drejtësi dhe shpikje për larguar vëmendjen nga dështimet

Shoqëria civile dhe partitë opozitare po e konsiderojnë ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura postimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili atakon Prokurorinë Speciale për mospunë në ngritjen e aktakuzave për krime lufte.

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gëzim Shala, thotë se nuk i takon kryeministrit Albin Kurti të interferojë në punën e institucioneve të pavarura kushtetuese.

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, beson se “përkushtimi” i Kurtit në trajtimin e kësaj teme tani është për të larguar vëmendjen nga situata kaotike në të cilën ndodhet vendi.

E deputeti i partisë në pushtet, Mefail Bajqinovci, nuk konsideron se shefi i Qeverisë ka bërë ndonjë ndërhyrje në gjyqësor, por vetëm ka bërë apel që sa më shpejt të merren masa që të ndiqen kriminelët që kanë bërë masakra në Kosovë.

Sipas Shalës së IKD-së, në shkrimin e kryeministrit Kurti janë dy çështje problematike.

“Çështja e parë e patejkalueshme është ‘e drejta’ e kryeministrit dhe aktorëve politikë për të ndikuar dhe interferuar në punën e institucioneve të pavarura kushtetuese, siç është prokurori i Shtetit. Në rastin konkret, në asnjë rrethanë në një vend ku sundon ligji nuk mund të mendohet se i jepet kjo e drejtë aktorëve të caktuar politikë që të japin deklarata që nxisin mosbesim ndaj institucioneve, siç është prokurori i Shtetit dhe kjo është e përcaktuar sipas Kushtetutës”, ka thënë Shala.

Ai thekson se kjo është ndërhyrje direkte në sistemin e drejtësisë.

“Deklaratat e tilla janë qartazi ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe kjo përcaktohet sipas Kushtetutës dhe elaborohet tutje nga ana e opinioneve të Komisionit të Venecias. Çka i takon kryeministrit, në rastin konkret, është që t’i propozojë ndryshimet e nevojshme legjislative që janë bërë dhe e dyta eventualisht që të tentojë ta përkrahë përmes ligjit për ndarje buxhetore Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe këtu të përfundojë mandati i tij. Çdo deklarim i tij jashtë këtyre suazave paraqet ndërhyrje në institucionin e pavarur kushtetues, në rastin konkret në Prokurorinë e Shtetit”.

Tutje, Shala ka hedhur poshtë deklaratën e kryeministrit se janë bërë pesë vite që institucioneve të drejtësisë iu është mundësuar ndjekja penale dhe gjykimi i kriminelëve serbë.

“E kemi parasysh se kanë qenë disa dispozita që kanë trajtuar çështjen e gjykimit në mungesë, mirëpo që është konsideruar se të njëjtat janë të paplikueshme për shkak të problemeve që i kanë dhe kjo ka qenë edhe arsyeja që dispozitat e reja për gjykimin në mungesë janë futur në Kodin e ri të Procedurës Penale që ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2023. Pra që i bie se dispozitat adekuate në këtë fushë sa i përket gjykimit në mungesë nuk i kanë pesë vite, mirëpo është që nga shkurti i vitit 2023 që po i bie rreth 15 a po 16 muaj”, tha Shala për EO.

Por, një pjesë e fajit bie mbi Prokurorinë, thotë Shala sepse nuk i ka thënë ndonjë prioritet kësaj çështjeje.

Sipas tij, aktualisht në Departamentin për Krime Lufte zyrtarisht janë vetëm tre prokurorë të caktuar e të cilët “trajtojnë edhe raste të tjera që i bie se nuk ka një fokus adekuat në trajtimin e këtyre rasteve”.

Sipas Shalës, Kosovës i mungon një strategji kombëtare për trajtimin e këtyre rasteve, duke marrë edhe shembuj nga vendet e tjera që janë ballafaquar me këtë situatë siç është rasti i Kroacisë.

E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka deklaruar se “përkushtimi” i kryeministrit Albin Kurti në trajtimin e kësaj teme është për të larguar vëmendjen nga situata kaotike në të cilën ndodhet vendi.

“Kurtit nuk i bën fare a dënohen kriminelët, potencialisht që kanë bërë krime gjatë luftës 98-99 në Kosovë. Është po i njëjti ky Kurti që i ka thurur lavde atij kriminelit të luftës Oliver Ivanoviqit, i cili dihet se çka ka bërë në Mitrovicën Veriore para dhe pas luftës. Por përshtypja ime është se krejt këtë që po e bën Kurti, lidhur me kinse mospunën e organeve të drejtësisë, ka të bëjë me spostimin e vëmendjes nga gjendja kaotike ku e ka futur Kosovën, duke filluar nga kriza e madhe ekonomike, migrimi masiv, korrupsioni masiv në nivelet e mafiozitetit, izolimi ndërkombëtar, sanksionet, marrëdhëniet ndërshqiptare në pikën më të ulët për shkak të Kurtit, si me Shqipërinë, si me shqiptarët e Maqedonisë, si me shqiptarët në Preshevë, si dhe marrëdhënien me pikën më të ulët me ShBA-në dhe fataliteti që pësuam historik me refuzimin që të pranohemi në Këshillin e Evropës”, tha Kastrati.

Spas deputetit Kastrati, ky është kalkulim elektoral që t’iu ikëm temave pasi e ka sjellë vendin buzë greminës, “ku çdo i dyti dëshiron të ikë nga ky vend”.

Ndryshe nga shoqëria civile opozita e sistemi gjyqësor po mendojnë në partinë që e udhëheq Albin Kurti – Lëvizjen Vetëvendosje.

Deputeti i kësaj partie, Mefail Bajqinovci, ka thënë se Kurti nuk ka ndërhyrë në gjyqësor.

“Kryeministri Kurti nuk ka bërë asnjë ndërhyrje në gjyqësor, por kryeministri Kurti ka bërë apel që sa më shpejt të merren masa që të ndiqen kriminelët që kanë bërë masakra në Kosovë. Ndërhyrja në gjyqësor është diçka tjetër, ndërhyrja në gjyqësor quhet kur ju e pengoni gjyqësorin në punë, e ato nuk po ndodhin në qeverinë Kurti. Deklarata e kryeministrit Kurti është që sa më shpejt të ndiqen dhe të dënohen njerëzit, kriminelët serbë të cilët kanë bërë masakra në popullatën shqiptare në vitin 98-99”, tha Bajqinovci.

Teksa ka folur për mungesën e prokurorëve, Bajqinovci tha se Prokuroria Speciale duhet të hapë konkurs e “mos të justifikohet”.

“Ata kanë mundësi që me e hap konkursin. Pajtohem që një prokurore ka dalë në pension, por ka mundësi që prokuroria sa më shpejt të hap konkurs dhe të merr prokurorë të tjerë dhe sa më shumë të punohet, andaj unë mendoj që nuk është justifikim”, tha Bajqinovci.

Të enjten, kryeministri Albin Kurti, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, akuzoi Prokurorinë Speciale të Kosovës, se janë bërë pesë vjet që prej së i ka marrë kompetencat për ndjekjen e kriminelëve të luftës, porse kanë kaluar pesë vjet pa rezultate.

Ndaj deklaratave të Kurtit, të premten ka reaguar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës, duke thënë se komentet e vazhdueshme të kryeministrit për punën e PSRK-së janë në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe standardeve ndërkombëtare për pavarësinë e Gjyqësorit.

“Si të tilla e minojnë besimin e publikut në punën e Prokurorit të Shtetit në përgjithësi dhe të Prokurorisë Speciale në veçanti. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se në pesë vitet e fundit, që nga koha kur kjo prokurori ka marrë kompetencat për hetimin e krimeve të luftës, ka bërë punë jashtëzakonisht të madhe në bashkëpunim të plotë me institucionet ligj zbatuese. Për më tepër, kjo është bërë me kapacitete të pamjaftueshme të kuadrove, profesionale dhe financiare, si pasojë e buxhetit të pamjaftueshëm. Edhe me këto resurse të pamjaftueshme, si ligjore ashtu edhe financiare, njoftojmë opinionin publik se Prokuroria Speciale, aktualisht, ka të regjistruara gjithsej 60 aktakuza për krime të luftës për 56 raste, ndaj 165 personave”, thuhet në reagimin e PSRK-së.

 

Shpërndaje në: