Ish-kryetari i Apelit: Kurti po tenton ta kapë sistemin e drejtësisë

Ish-kryetari i Apelit: Kurti po tenton ta kapë sistemin e drejtësisë

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se po jep deklarata që janë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Ai e përmendi rastin e Enver Sekiraqës, për të cilin tha se nuk mund të përgjithësohet i gjithë sistemi për gabimet e individëve.

“Është ndërhyrje kur kryeministri e hapë mbledhjen e Qeverisë dhe thotë kë dështu sistemi i drejtësisë. Nuk ka dështu sistemi me Sekiraqën, ka dështu një gjyqtarë e një trup gjykues, dhe atë vendim e ka përmirësu Gjykata e Apelit. Këshilli gjyqësor ka marrë masa disiplinore ndaj gjyqtarit… Sistemi i drejtësisë ka vepru, sikur të mos vepronte apeli e këshilli gjyqësor atëherë është diçka tjetër. Sistemi i drejtësisë sonë në rajon është më i miri”, tha ai.

Tutje ai tha se Kurti po tenton që ta kapë sistemin e drejtësisë.

“Me vetë faktin që thotë sistemi i drejtësisë ka dështu, ai e ka luftën me kapë sistemin e drejtësisë me i pru njerëzit e vet… Kemi ndërhyrje haptas të kësaj qeverie, kur kanë nxjerrë ligjin për zyrtarë publikë, për pagat, ligjit për këshillin prokuroria, kushtetuesja ka konstatu ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”, tha ai.

Ndryshe edhe Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë një reagim ndaj deklaratave të djeshme të kryeministrit Albin Kurti, lidhur me rastet e krimeve të luftës.

Kurti të enjten tha se janë bërë pesë vjet prej kur institucioneve tona të drejtësisë u është mundësuar ndjekja penale dhe gjykimi i kriminelëve të luftës edhe në mungesë të tyre, dhe sipas tij, ende nuk ka asnjë rezultat.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës shpreh indinjatë të thellë ndaj qasjes së vazhdueshme joproduktive të Kryeministrit Kurti ndaj Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, lidhur me rastet e krimeve të luftës.

“Prokuroria Speciale potencon fuqishëm se komentet e vazhdueshme të Kryeministrit të Kosovës për punën e Prokurorisë Speciale janë në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe standardeve ndërkombëtare për pavarësinë e Gjyqësorit. Andaj, si të tilla e minojnë besimin e publikut në punën e Prokurorit të Shtetit në përgjithësi dhe të Prokurorisë Speciale në veçanti”, thuhet në reagim.

Shpërndaje në: