Kryeziu: Gatishmëria e pushtetit për zgjedhjet e parakohshme është tregues i përçarjeve brenda shumicës
Drejtori i Instituti Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu ka folur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, për të cilat edhe partia në pushtet u shpreh e gatshme, shkruan Periskopi.
Përmes një postimi, Kryeziu ka thënë se “kjo situatë dhe gatishmëri për të shkuar në zgjedhje kur ke shumicën parlamentare është tregues i përçarjeve brenda shumicës dhe paaftësisë së tyre të shpeshtë për të krijuar kuorumin në kuvend“.
Postimi i tij i plotë:
Gatishmëria e pushtetit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme përmes shpërndarjes së kuvendit, veçanërisht kur qeveria ka shumicën parlamentare, nuk duhet të shihet si një mundësi për të përqeshur opozitën, edhe pse shumë eksponentë të qeverisë aktuale kanë filluar ta bëjnë këtë.
Në të vërtetë, është e kundërta.
Kjo situatë dhe gatishmëri për të shkuar në zgjedhje kur ke shumicën parlamentare është tregues i përçarjeve brenda shumicës dhe paaftësisë së tyre të shpeshtë për të krijuar kuorumin në kuvend. Kjo shpërfaq sfidat dhe problemet që kanë në përmbushjen e agjendës legjislative, përfshirë ligje të rëndësishme si ato për kodin civil, arsimin, dhe çështje të tjera që kërkojnë konsensus dhe votë të nevojshme me 2/3.
Në këtë kontekst, më shumë se sa të përqeshin opozitën, kjo gatishmëri shpërfaq problemet dhe paaftësinë e qeverisë për të qeverisur në mënyrë efikase.