Mbrohen në heshtje katër të akuzuarit për dallavere rreth regjistrimit të studentëve në UP

Mbrohen në heshtje katër të akuzuarit për dallavere rreth regjistrimit të studentëve në UP

Katër të akuzuarit për falsifikimin e dokumenteve rreth regjistrimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Mimoza Beqiri, Behare Bajrami, Betim Ismajli dhe Ardian Hamiti në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë mbrojtur në heshtje.

Katër të akuzuarit po ngarkohen për falsifikim të dokumenteve, ndërsa e pandehura Bajrami po akuzohet edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, gjykimi për këtë rast filloi rishtazi për shkak të ndërrimit të anëtarit të trupit gjykues, ashtu që në vend të gjyqtarit tani të suspenduar Agim Kuçi, anëtar i këtij trupi është gjykatësi Ertan Sejfulla.

Pasi që gjykimi filloi rishtazi dhe aktakuza u konsiderua e lexuar, katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

Gjithashtu, prokurori Halim Borovci dhe mbrojtësit e të akuzuarve qëndruan në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë më parë në këtë gjykatë, si dhe u konsideruan të lexuara deklaratat e të gjithë dëshmitarëve të dëgjuar në këtë gjykim.

Më pas, gjykimi vazhdoi me administrimin e provave materiale, ku si prova materiale prokuroi Borovci ka përmendur disa vërtetime dhe fletëpagesa të semestrit, të cilat sipas tij vërtetojnë veprën penale që i inkriminon të akuzuarit sipas pikës 1 të akuzës, pra në drejtim të veprës penale “Falsifikim i dokumentit”.

“Sepse këto dokumente janë të paraqitura kinse janë të lëshuar nga Administrata Qendrore e Universitetit të Prishtinës, e që vetë ky autoritet i ka konfirmuar se nuk është autor i këtyre dokumenteve dhe mbi bazën e të cilave edhe nuk është pranuar regjistrimi i këtyre kandidatëve për studentë të UP-së”, tha prokurori Borovci.

Po ashtu, si prova materiale prokurori Halimi ka përmendur edhe sms-të e shkëmbyer në mes të akuzuarve dhe palëve të tjera, gjatë periudhës kohore 2013-2014.

Këto prova, mbrojtësi i të akuzuarës Beqiri, avokati Shefqet Hasimi i ka quajtur të papranueshme sa i përket fuqisë provuese të provës.

Sipas tij, këto prova nuk paraqesin prova adekuate të cilat vërtetojnë dhe dëshmojnë falsifikimin e dokumenteve. Të njëjtën gjë e deklaroi edhe mbrojtësi i të akuzuarës Bajrami, avokati Leotrim Himaj.

Himaj tha se sms-të e elaboruar nga prokurori, janë prova që veçse vepra penale në raport me to është parashkruar.

“Pra, kemi disa sms që janë lexuar të vitit 2013 dhe fillimit të vitit 2014, e që në raport me veprën penale gjegjësisht përshkrimin faktik të aktakuzës, këto prova veçse janë vjetërsuar”, tha avokati Himaj.

Vërejtje rreth këtyre provave pati edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ismajli, avokati Naser Sopjani, i cili tha se sms-të e nxjerrë në mënyrë retroaktive në bazë të urdhëresës së vitit 2012 sipas mbrojtjes janë të gjitha prova të paligjshme, të nxjerra në kundërshtim me ligjin e antikushtetuese.

“Sepse dihet që dispozitat e Kodit të Procedurës Penale e kanë rregulluar shumë qartë se të gjithë urdhrat e kanë një afat sa zgjatin dhe të gjitha këto vlejnë nga data e lëshimit, asnjë dispozitë ligjore e Kodit të Procedurës Penale nuk e parasheh që urdhrat kanë efekt retroaktiv dhe kjo është arsyeja që urdhrat lëshohen me afat”, tha Sopjani.

Një konstatim të tillë, Sopjani tha se e ka dhënë edhe Gjykata Kushtetuese, e cila ka konstatuar se në raste të tilla nxjerrja e sms-ve në mënyrë retroaktive është shkelje e nenit 36 “E drejta në privatësi”.

Ndërsa, sa iu përket vërtetimeve që supozohen nga ana e Prokurorisë që janë falsifikuar, avokati Sopjani tha se nuk qëndron ky pretendim pasi që nuk ka asnjë ekzaminim përkatës për të konstatuar nëse janë të falsifikuara apo jo.

“Andaj, nga ana e Prokurorisë janë prezantuar kinse dokumente të falsifikuara pa pasur asnjë ekzaminim nga eksperti i fushës”, u shpreh Sopjani.

Sipas tij, të gjitha dokumentet e listuara në aktakuzë si prova materiale, janë dokumente që i përkasin periudhës para datës 20 nëntor 2013, të cilat sipas tij edhe po të jenë të falsifikuara, kemi të bëjmë me dokumente që në kuadër të veprës penale që akuzohen ka kaluar dyfishi i ndjekjes penale.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Hamiti, avokati Mentor Bogaj pati vërejtje në këto prova. Ai tha se sms-të e listuar nga Prokuroria nuk janë prova që vërtetojnë figurën e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Bogaj tha se nuk ekziston asnjë provë materiale e konfirmuar me ekspertizë përkatëse me të cilën do të vërtetohej kryerja e veprës penale e cila i vihet në barrë të mbrojturit të tij.

“Derisa edhe nga disa sms të elaboruar ku përmendet i mbrojturi im dalin të hyjnë në domenin e parashkrimit absolut, meqenëse janë të vitit 2013, rrjedhimisht provat e listuara të Prokurorisë i konsiderojmë si të papranueshme”, tha ai.

Gjithashtu, gjykata aprovoi si provë materiale kontratën e punës sa i përket të akuzuarës Bajrami, e cila u propozua nga avokati i saj Himaj.

Në seancën e radhës, pritet të jepet fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Në këtë rast Mimoza Beqiri dhe Behare Bajrami akuzoheshin se së bashku me Ermal Durakun, Anton Jakajn, Daut Ademajn, Ilir Muratin, Rajmonda Osmanin dhe Edona Sallahun kishin kryer veprat penale “Mashtrimi” nga neni 335, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Lajmërim i rremë” nga neni 390, paragrafi 1 të KPRK-së, mirëpo për këto vepra penale ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 31 maj 2017, ndaj Mimoza Beqirit, Behare Bajramit, Betim Ismailit, Ardian Hamitit, Ermal Durakut, Anton Jakajt, Daut Ademajt, Ilir Muratit, Rajmonda Osmanit dhe Edona Sallahut, me arsyetimin se nga viti 2013-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme.

Aktakuzën e plotë për këtë rast mund ta lexoni KËTU./BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në: