Djali i Trump reagon pasi gjykata e shpall fajtor ish-presidentin amerikan për 34 pikat e aktakuzës

Djali i Trump reagon pasi gjykata e shpall fajtor ish-presidentin amerikan për 34 pikat e aktakuzës

Donald Trump Jr, djali i ish-presidentit amerikan ka reaguar me nervozizëm pasi gjykata në Nju Jork e ka gjetur babain e tij fajtor për 34 pikat e aktakuzës.

Sipas Trump Jr, Demokratët po synojnë të ndërhyjnë në zgjedhjet amerikane përmes dënimit të Trump.

“Ata as s’po e fshehin ndërhyrjen në zgjedhje”, ka shkruar djali i Trump.

Dënimi pritet t’i shqiptohet Trumpit shumë shpejt, derisa ai bëhet presidenti i parë në historinë e SHBA-së që dënohet për një krim.

Donald Trump është shpallur fajtor për falsifikimin e të dhënave biznesore të kompanisë, duke u bërë ish-presidenti i parë amerikan që dënohet për vepër penale.

Pas diskutimeve dyditore, 12 anëtarët e jurisë e shpallën fajtor Trumpin sot për të gjitha 34 akuzat me të cilat ngarkohej.

Prokurorët kanë  deklaruar se Trumpi ka falsifikuar të dhëna për të fshehur rimbursimet që ia ka bërë avokatit të atëhershëm të tij, Michael Cohen, i cili i ka paguar aktores së pornografisë, Stormy Daniels 130.000 dollarë në javët e fundit të fushatës presidenciale të vitit 2016, në këmbim që ajo të mos e paraqiste publikisht pretendimin e saj se ajo dhe Trump kishin pasur marrëdhënie seksuale një dekadë më parë.

Ish-presidenti dhe i nominuari republikan për president, është deklaruar i pafajshëm duke mohuar çdo kontakt seksual me Daniels dhe duke argumentuar se pagesat e kryera ndaj avokatit Cohen ishin përcaktuar saktë në të dhënat e kompanisë, përkatësisht si shpenzime ligjore.

Biden reagon pasi Trump u shpall fajtor: Kutitë e votimit mënyra e vetme për ta mundur

Shpërndaje në: