Në Mal të Zi ngjitet në skenë shfaqja e parë në gjuhën shqipe
Rreth një muaj më parë, në galerinë e Qendrës për Kulturë është themeluar teatri “Teuta”, i cili fillimisht mbajti konferencën e parë për media ku për opinionin shpalosi qëllimet e veta.
Teatri “Teuta” do të dal këtë javë me shfaqjen e parë në gjuhën shqipe të titulluar “NANA”, shfaqje kjo e cila do të jetë në skenën e teatri për dy net me radhë. Shfaqja e parë në gjuhën shqipe në shtetin fqinj të Malit të Zi do të jetë me datë 16 dhe 17(të enjten dhe të premten) në orën 20:00. Aktorët të cilët do të performojnë në këtë shfaqje do të jenë: Vjosa Tasholli, Muho Uruçi, Anes Kurti, Albana Kurti Zeçeviq dhe Bashkim Alaj. Autor i kësaj shfaqjeje është Arlinda Morina me regji të Munib Abazi dhe asistente të regjisë Edina Mustafiq. Skenografia dhe kostumografia do të jetë nga Jetmira Hoxha, me muzikë të Ardian Hasanaga dhe me ndriçim të mundësuar nga Musa Hoxha.
Projekt i parë i këtij teatri, “NANA” pritet të përcjellë shumë emocione tek publiku vendas dhe i huaj qe do jetë prezent.
Në konferencën e parë për media aktorët e teatrit “Teuta” shprehen se si qëllim primarë kanë ringjalljen e jetës teatrale dhe kulturore të qytetit.
Në kuadër të teatrit do të punojë një staf profesionist i përbërë nga regjisorë, skenografë dhe kostumografë, si dhe aktorë të diplomuar, të cilët për publikun vendas dhe të huaj do të sjellin shfaqe kombëtare dhe ndërkombëtare të zhanreve të ndryshme, shkruan Strandard.
Teatri “Teuta” ka pasur takime dhe me institucione publike, me komunën e Ulqinit dhe me Qendrën për Kulturë, me të cilët ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. Kryetari i Komunës, Nazif Cungu dhe drejtori i Qendrës për Kulturë Astrit Salaj shprehën gatishmërinë e tyre që ti ndihmojnë si nga ana financiare, ashtu dhe nga ana institucionale. Njëri ndër takimet që zhvilluan ishte ai me televizionin “Teuta” të cilët do ti mbështesin në rrugën gjatë zhvillimit të tyre.
Sipas organizatorëve dhe nismëtareve të parë të këtij teatri në gjuhën shqipe, Ulqini e ka pasur të domosdoshëm që të kurorëzohet me teatër. /KultPlus.com