Deputeti i PDK-së thotë se Projektligji për KPM-në s’ka për qëllim përafrimin me legjislacionin evropian, bojkoton mbledhjen

Deputeti i PDK-së thotë se Projektligji për KPM-në s’ka për qëllim përafrimin me legjislacionin evropian, bojkoton mbledhjen

Në mbledhjen e së enjtes të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, deputeti Isak Shabani tha se Projektligji për KPM-në nuk ka për qëllim përafrimin me legjislacionin evropian.

Këtë deklarim, deputeti Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e bëri para se të vazhdohet me shqyrtimin Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mes tjerash ai tha se ka kërkuar që në Projektligjin për KPM-në të mbetet Bordi për Ankesa dhe se të njëjtën gjë e kishte thënë edhe ekspertja e Këshillit të Evropës, pra sipas tij të mbetet sikurse në ligjin paraprak.

Mirëpo, tha se një gjë e tillë nuk është marrë parasysh.

I njëjti shtoi se në këtë mënyrë po bartet kompetenca, ashtu që si shkallë e dytë të jetë drejtpërdrejt gjykata.

Tutje, ai tha se lidhur me këtë projektligj raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) dhe të Reporterëve pa Kufij janë mjaftë shqetësuese.

Po ashtu, lidhur me këtë projektligj ai theksoi se edhe shoqëria civile ka ngritur shumë shqetësime.

“Unë kurrë nuk kam pa në Kuvend që kanë ardh kaq shumë komente, kaq shumë shqetësime”, shtoi deputeti Shabani.

Ndërsa, për shtimin e numrit të anëtarëve të KPM-së, i njëjti tha se kjo ka të bëjë me kapjen e KPM-së.

Pas këtyre deklarimeve, deputeti Shabani tha se nuk do të marr pjesë në votim të këtij projektligji, duke e liruar sallën.

Para fillimit të mbledhjes, sallën e ka liruar edhe deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës , Agim Veliu, për shkak të vonesës që u shkaktua nga anëtarët e këtij komisioni.

Kështu, nga Komisioni Parlamentar për Media, në këtë mbledhje janë duke marrë pjesë pesë deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Valon Ramadani, Besim Muzai, Adelina Grainca, Nijazi Isaku dhe Fitim Haziri, si dhe Fidan Jilta nga Partia Demokratike Turke e Kosovës.

Mbledhja ka vazhduar me votimin e amendamenteve të këtij projektligji.

Shpërndaje në: