Publikohet video e sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi

Publikohet video e sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi

Ky është momenti kur avokati Sokol Mëngjesi dhunohet fizikisht nga tre persona tashmë të identifikuar nga policia.

Pamjet janë fiksuar nga kamerat e sigurisë së kopshtit së djalit të mitur të avokatit.

Në të shihet momenti kur autori e thërret avokatin qe po qëndron te dera e kopshtit dhe e godet me grusht duke e rrëzuar në tokë.

Edhe pse i shtrirë në tokë dhe pa ndjenja, dy autorët e tjerë i afrohen dhe e godasin barbarisht me shkelma në trup dhe në kokë.

Në videon e dytë, dy agresorët largohen me vrap nga vendngjarja. Ato janë Drivald dhe Dorian Alia, tashmë të identifikuar nga policia. Njëri prej tyre, 28-vjeçari Dorian Alia është vetëdorëzuar në Komisariatin Nr.2 në Tiranë.

Ndërkohë është shpallur në kërkim i afërmi i tij Drivald Alia si dhe dy bashkëpunëtorë të tyre, Elton Kasaj të cilët kanë dhe Romario Tabaku.

Ky i fundit dyshohet se është personi që ka larguar autorët nga vendngjarja me një automjet tip Audi.

Në një deklaratë zyrtare, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj sqaroi dhe motivit e sulmit fizik ndaj avokatit, Mëngjesi.

“Nga veprimet hetimore rezulton se i dëmtuari Sokol Mëngjesi me profesion avokat, është goditur për shkak të dëtyrës. Po nga veprimet hetimore rezulton se avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë dhe në apel një familje e cila kishte të trashëguar një pronë në qytetin e Tiranës, proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës së nënshkruar me Studion Ligjore “ALTERUM SHPK”.

Në deklaratën e tij kreu i Policisë Tiranë njoftoi dhe shoqërimin e organizatorit të dyshuar.

Personat e shpallur në kërkim akuzohen për vrasje e funksionarëve publik e mbetur në tentativë. Për kapjen e tyre policia kërkoi ndihmën e qytetarëve.

Nga hetimet e kryera, policia dyshohet se autorët nuk kanë qenë te paguar, por janë lidhje e afërt e organizatorit të sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.

Ky fundit aktualisht vijon të jetë nën kujdesin intensiv të Spitalit të Traumës, ku mësohet se ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore si pasojë e frakturave në kokë dhe trup.

 

Shpërndaje në: