Besian Mustafa i reagon Memli Krasniqit: Kërko përgjegjësi tek ideatori i vërtetë i shpërndarjes së Kuvendit
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, i ka reaguar kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili gjatë konferencës për media akuzoi partitë tjera opozitare për mos shpërndarjen e Kuvendit.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se Memli Krasniqi duhet të kërkojë llogari nga ai të cilit i shkoi në darkë.
“Krasniqi ka bërë marrëveshje me Kurtin, jo me LDK-në, prandaj i pakuptimtë roli i i tij si ndërmjetësues. Le të kërkojë përgjegjësi tek ideatori i vërtetë i shpërndarjes dhe tek marrëveshja që ka bërë me të”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka ripërsëritur qëndrimin e LDK-së, që kryeministri duhet të dorëhiqet dhe pastaj vendi të shkojë në zgjedhje.
“LDK nuk bën marrëveshje me Kurtin. Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe i zëshëm edhe para dakordimit tashmë të dështuar të tyre. Dorëheqje, më pas zgjedhje!”, ka thënë Mustafa.