Diplomati austriak për Veselin: E di që është marrë me shërbime informimi për UÇK-në, gjatë luftës ishte prezantuar si numri 7
Diplomati austriak, Jan Kickert tha se e di që Kadri Veseli është marrë me shërbime informimi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se gjatë luftës ishte prezantuar si numri 7, po ashtu si partner politik.
Këtë deklarim, Kickert e bëri pasi nga gjyqtari Christoph Barthe u pyet se a e dinte cilat ishin detyrat e Veselit gjatë kohës së luftës dhe në përfundim të saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas dëshmitarit, diplomatët nuk ishin të interesuar se cili ishte pozicioni i pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët i takonin.
“Ai është prezantuar si numri 7 në atë kohë. Po ashtu, ai është prezantuar edhe si bashkëbisedues ose si partner politik dhe sikurse e thash më përpara donim të kishim sa më shumë bashkëpunues politikë. Kështu që prezumimi ynë ishte që ai luante një rol politik në UÇK, sikurse e thash edhe më herët si diplomatë ne nuk ishim të interesuar se çfarë pozicioni kishin në armatimin ushtarak ose në ushtri se nuk kisha fare lidhje me këtë çështje”, tha ai.
Gjithashtu, dëshmitari theksoi se nuk ka pasur ndonjë informacion që e ka bërë të besonte se Veseli kishte ndonjë rol të Zbulim-Kundërzbulimit gjatë kohës së luftës.
“Jo, gjatë luftës jo. Unë e kam takuar atë në një tjetër cilësi. E kam takuar atë vetëm pas luftës, përmes kolegëve siç ua shpjegova dhe nuk di si të përgjigjem pyetjes tuaj dhe vetëm di që ai merrej me shërbime informimi për ish-UÇK-në”, tha dëshmitari.
Kickert shtoi se nuk është në dijeni të ndonjë shërbimi të Zbulim-Kundërzbulimit ose të inteligjencës ushtarake. Gjithashtu, tha se nëse do të kishte gjëra të tilla nuk do të çuditej.
Gjyqtari Barthe tha se në deklaratat për ZPS-në, dëshmitari kishte përmendur se Veseli kishte postin e shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës.
“I keni thënë ZPS-së që në fund të 1999 dhe në fillim të 2000 jeni takuar me Veselin, megjithëse thatë që gjithmonë e më pak jeni marrë apo keni pasur takim me zotin Veseli se sa ishte ai shef i Shërbimit Informativ. Së pari, nga e dinit ju që Veseli kishte këtë post”, pyeti gjyqtari.
Por, diplomati austriak tha se kishte kolegë që merreshin me këtë fushë dhe e kishin takuar Veselin në cilësinë e shefit të Shërbimit Informativ.
“Kisha kolegë evropianë që merreshin me këtë fushë, pra me fushën e informimit dhe kishin takuar Veselin në këtë post të tij dhe gjithashtu ishte edhe dikush tjetër nga bashkësia ndërkombëtare që po përpiqej që të mund të fitonte një lloj kontrolli mbi elementë të caktuar të cilët pas luftës kishin tendencë të shkonin në drejtim të krimit të organizuar”, tha dëshmitari.
Dëshmitari tha se nuk ka njohuri se kush e emëroi në këtë post Veselin dhe se si ishte përzgjedhur ai.
Ndër tjerash, Kickert deklaroi se nuk e dinte me siguri nëse katër të akuzuarit ishin pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Për mua, baza kryesore e informacionit për pyetjen tuaj është raporti që ua kam treguar sot. Por, në qoftë se e dija përbërjen në qoftë se këta persona ishin anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, unë e vë në dyshim këtë. Unë nuk mund t’ua them me siguri”, tha dëshmitari.
Ndërsa, lidhur me një takim me Adem Demaçim që dëshmitari e kishte pasur më 6 korrik 1998, pohoi se ky i fundit i kishte thënë se ai nuk ishte përfaqësuesi politik i UÇK-së dhe se nuk i kishte treguar nëse ishte dikush tjetër.
Sipas tij, vazhdimisht kishte pretendime nga ana serbe, disa të publikuara në media shqiptare për ndalime dhe rrëmbime nga ana e UÇK-së. Megjithatë, ai tha se nuk ka prova për gjëra të tilla dhe se nuk besonte shumë në propagandën e asnjërës palë.