Letra e Gërvallës: Konjufca tenton të arsyetohet për moskomunikimin Qeveri-Presidencë, thotë se ndodhi për shkak të largësisë
Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka cilësuar si të paqëllimshëm mungesën e komunikimit ndërmjet Qeverisë dhe Presidencës në ditët kritike kur në Strasburg do të vendosej nëse Kosova do të hynte në agjendën e Këshillit të Ministrave për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, apo jo.
Konjufca tha se kjo ka mundur të ketë ndodhur “për shkak të largësisë”, meqenëse presidentja Vjosa Osmani ishte në SHBA.
“Unë e kam kuptuar këtë si një pamundësi që të njoftohet Presidentja për çdo hollësi nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kjo, kam hamendësuar që ka mundur të ndodh për shkak të vizitës që ajo e kishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për shkak të largësisë, me siguri jo çdo hollësi e cila ndryshonte çdo minutë në ditën e votimit që e kishim nga ana e Këshillit të Ministrave për Këshill të Evropës mund të ndahet dhe mund të koordinohet”, tha Konjufca në një deklarim para gazetarëve.
“Pra unë nuk shoh mosvullnet nga ana e Qeverisë dhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme që të bëjë diçka te qëllimshme kundër Presidentes, apo që të mbajë diçka fshehur. Ka qenë thjesht teknikisht, ma merr mendja, një largësi e madhe atë ditë, për të cilën po flasim, gjë që ka pamundësi që ndryshimet e çdo minute, propozimet e çdo minute që i ka bërë Qeveria e Kosovës, të mund ta krijojnë atë atmosferën që Kosova të hynte në agjendë, nuk ka mundur t’i ndajë të gjitha me Presidencën. Dhe Presidenca e ka pasë reagimin e saj, ju e keni parë. Me siguri si pasojë e asaj që ata kanë menduar që çdo hollësi do të duhej të ishte ndarë”, shtoi ai.
Dështimi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës para rreth dy javësh shpërfaqi një mungesë komunikimi ndërmjet Qeverisë dhe Presidencës, megjithëse objektet e këtyre dy institucioneve qendrore të vendit janë vetëm disa hapa larg njëri-tjetrit.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ia dërgoi një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Theodoros Rousopoulos (që u konsiderua si adresë e gabuar), në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave, në një përpjekje të fundit për t’i bindur ministrat e shteteve anëtare të kësaj organizate për ta futur Kosovën në agjendën e takimit të tyre.
Gërvalla shkruante për përgatitjen e një draft-statuti të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që thoshte se do t’i dorëzohej Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji, duke shprehur pritjen që pas këtyre “hapave konkretë dhe të prekshëm”, Komiteti i Ministrave do të vendoste përfundimisht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës që tani, gjë që nuk ndodhi.
Presidentja Vjosa Osmani nuk e mbështeti këtë letër dhe nga Presidenca kjo u tha publikisht. Këshilltari i saj, Bekim Kupina, tha se shefen e shtetit nuk e kishin konsultuar për të.