Një vit nga sulmi në Zveçan, KFOR: Ushtarët i vunë jetët e tyre në rrezik, NATO e gatshme ta ruajë paqen

Një vit nga sulmi në Zveçan, KFOR: Ushtarët i vunë jetët e tyre në rrezik, NATO e gatshme ta ruajë paqen

KFOR-i ka kujtuar sulmet ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Zveçan nga persona të maskuar e të pamaskuar, disa edhe të armatosur, duke përmendur se Aleanca “është e gatshme ta ruajë paqen”.

Një vit më parë, paqeruajtësit e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO u sulmuan gjatë protestave të dhunshme në komunën e Zveçanit. 93 efektivë u plagosën, disa prej të cilëve me lëndime të rënda. Këto sulme ishin të paprovokuara dhe ishin krejtësisht të papranueshme, kujton KFOR-i në një deklaratë.

“Sot, ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e bashkëluftëtarëve tanë, të cilët i vunë jetët e tyte në rrezik për t’i kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e gjatë të misionit tonë në OKB. Guximi i tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës”, tha gjeneralmajor Özkan Ulutaş, komandant i KFOR-it.

NATO thotë se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të mbahen përgjegjës. Pas dhunës, KFOR-i kujton se NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë.

“Ne e kemi rritur praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe e kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme ta ruajë paqen”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.

“Angazhimi ynë për të kontribuar për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal është i palëkundur. KFOR-i vazhdon t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta ruajtur një mjedis të sigurt, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha gjeneralmajor Ulutaş.

Shpërndaje në: