Zyrtari i komunës dyshohet se ndryshoi kufijtë kadastral të një parcele toke, ndalohet për 48 orë
Sektori për Hetime Financiare nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion ka pranuar informata lidhur me rastin se person/a zyrtar nga zyra kadastrale e një Komune kanë ndërhyrë në sistem duke ndryshuar kufijtë kadastral të një parcele tokësore pronë e ankuesit në favor të një pale të tretë duke ja mundësuar parcelës së tij qasjen në një rrugë publike në mënyrë të kundërligjshme.
“Ketë veprim i njëjti dyshohet se e kryen përkundër faktit që kjo parcelë tokësore kishte masë të përkohshme të vendosur nga Gjykata themelore e Prishtinës, dhe me këtë dyshohet të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” përcaktuar sipas kodit penal të RKS-së”, njofton policia.
Të gjitha veprimet hetimore në lidhje me ketë lëndë janë zbatuar bazuar në autorizimin e Prokurorisë themelore në Prishtinë, thuhet tutje në njoftim.
“Sot i dyshuari është ftuar për intervistim i cili në prezencë të avokatit të tij mbrojtës është mbrojtur në heshtje”, njofton tutje policia.
Pas përfundimit të proceduarve të intervistimit ndaj të dyshuarit Prokuroria Themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orësh për procedura të mëtejme.