Fluturimi drejt Stuttgardit, Aviacioni Civil: Vonesa ndodhi për shkak të motit të keq në Aeroportin e Munchenit
Rreth qindra udhëtarë dje nuk arritën të fluturonin drejt Stuttgardit, duke mbetur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Për vonesën janë deklaruar nga Departamenti i Aviacionit Civil në Ministrinë e Infrastrukturës.
Avdi Kamerolli, drejtor i këtij departamenti tha në një përgjigje për Klankosova.tv se vonesa rreth katër orë kishte ndodhur për shkak të motit të keq në Aeroportin e Munchenit, që cilësohet si rrethanë e jashtëzakonshme.
“Si rezultat i kësaj situate, kanë ndodhur vonesa në nisje. Me të arritur në ANP, me planin që në ora 13:00 të bartin udhëtarët për në Stuttgart, kapiteni i aeroplanit ka konkluduar se ka skaduar koha e angazhimit të ekuipazhit (pas disa orësh angazhimi duhet siguruar për ekuipazhin pushim obligativ). Për këtë arsye, aviokompania Eurowings, ka vendosur që fluturimin ta anulojë për atë ditë dhe ta realizojë ditën e sotme. Pasojat e rrethanes se jashtzakonshme qe kane mbizoteruar ne Aeroportin e Mynihut, ne fakte jane bartur edhe ne Aeroportin e Prishtines”, thuhet në përgjigje.
Ky fluturim u realizua sot rreth orës 13:05.