Nuk u ftua për “Euro 2024”, Sokol Cikalleshi tërhiqet nga Kombëtarja shqiptare

Nuk u ftua për “Euro 2024”, Sokol Cikalleshi tërhiqet nga Kombëtarja shqiptare

Sulmuesi shtatlartë, Sokol Cikalleshi ka njoftuar këtë të martë tërheqjen nga Kombëtarja shqiptare e futbollit. Vendimi vjen një ditë pasi trajneri Sylvinho shpalli listën me lojtarët e ftuar për Euro 2024 dhe emri i tij mungonte, pavarësisht rolit të tij qëndror në kualifikuese.

Teksa shpalli listën me 27 lojtarët e thirrur (23-26 lojtarë do të jetë lista përfundimtare), Sylvinho nuk pranoi të fliste për mungesën e Cikalleshit, i cili luajti një rol të rëndësishëm për kuqezinjtë gjatë kualifikueseve, duke qenë titullar i padiskutueshëm.

Me një reagim në mediat sociale, 33-vjeçari i dha fund aventurës së tij me kuqezinjtë, e cila filloi në vitin 2008 me U-19 dhe në vitin 2014 me ekipin A.

“Fundi i një rrugëtimi”, shkruan Cikalleshi, duke shtuar: “Rrugëtimet jane të bukura, me uljet e ngritjet e veta. Gjatë rrugëtimeve nëse gjërat i ke bërë siç duhet, fundi është i lumtur, paçka se, jo gjithmonë e zgjedhim vetë mënyrën”.

“Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit. Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë, është sa privilegj, aq edhe një përgjegjësi, cila më ka bërë të përunjur dhe mirënjohës ndaj çdokujt që besoi, ndaj çdokujt që më dha kurajo për të vazhduar, e padyshim, në mënyrë të veçantë ndaj çdokujt që brohoriti për mua”.

“Ashtu siç, çdo fillim e ka një fund, edhe  rrugëtimit tim me ekipin kombëtar të futbollit i  erdhi fundi”.

“Ndihem i lumtur për çka bëra gjatë këtij rrugëtimi, ku dhashë pakursimin më të vogel pikën e fundit të djersës dhe shpirtin për të bërë më të mirën e mundshme”.

“Falenderoj Zotin për gjithëçka më ka dhënë në jetë, familjen për mbështetjen, tifozët ‘Kuq e Zi’  që meritojnë shumë më shumë sesa ne kemi dhënë në fushën e blertë”.

“Lutem Zotit që shokët që do vijojnë rrugëtimin në Euro2024 të kenë sukses dhe të bëjnë një  paraqitje dinjitoze”, përfundon kështu shkrimi i Cikalleshit, autorit të 13 golave me Kombëtaren A të Shqipërisë.

Shpërndaje në: