Diplomati austriak: Nuk dinim për strukturën e UÇK-së më 1998, amerikanët e cilësonin si të shpërndarë

Diplomati austriak: Nuk dinim për strukturën e UÇK-së më 1998, amerikanët e cilësonin si të shpërndarë

Diplomati Jan Kickert tha se ata dinin shumë pak për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa pohoi se amerikanët iu kishin thënë se kjo pjesë ishte misterioze, por që kishin përshtypje se ishte strukturë horizontale dhe e shpërndarë.

Këtë deklarim, dëshmitari Kickert e bëri pasi avokati i HashimThaçit, Luka Mishetiq, ia prezantoi një kabllogram të 27 qershorit 1998, të cilin vetë dëshmitari e kishte shkruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Keni shkruar: Struktura komanduese e UÇK-së ngelet si diçka misterioze sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithëse, UÇK-ja vepron duke përdorë emër si Shtabi i Përgjithshëm e në pamjen e Shteteve të Bashkuara është një strukturë e shpërndarë horizontale dhe struktura koordinimi, kjo do të ishte problematike për të përfshirë UÇK-në në politikë. A ju kujtohet nga ku ju ka ardhur ky informacion?”, tha Mishetiq.

Por, dëshmitari tha se kjo gjë u tha në takimin  e grupit të kontaktit.

“Ka ardhur nga amerikanët. Nuk e di kush ishte i pranishëm gjatë takimit. Në qoftë se mund të shoh titullin e raportit pak më sipër ishte takim i grupit të kontaktit të misioneve. Ndoshta ka qenë ambasadori amerikan, zëvëndësmbasadori që e ka dhënë këtë informatë”, tha Kickert.

Sipas tij, mund të ketë qenë edhe ndonjë atashe ushtarake, ndërsa theksoi që vëzhguesit e Bashkimit Evropian kishin përvoja të ndryshme me anëtarët e UÇK-së në zona të ndryshme.

“Ne nuk dinim shumë, pak fare. Përpiqeshim që të kuptonim se si ishte e organizuar dhe strukturuar UÇK-ja. Më kujtohet që vëzhguesit e Bashkimit Evropian kishin përvoja të ndryshme në pjesët e ndryshme të Kosovës gjatë kontakteve të tyre me UÇK-në. Disa ishin më agresiv, disa trajtonin praninë e vëzhguesve në mënyrë më të qetë”, tha ai.

Kickert shtoi se kishte ndjesinë se zonat e ndryshme të UÇK-së nuk e kishin strukturën e njëjtë.

“Në atë kohë, ndjenja ime ishte që ishte një qendër në rajonin e Drenicës, por jo që detyrimisht UÇK-ja në pjesën perëndimore të Kosovës në zonën e Dukagjinit për shembull ishte në të njëjtën strukturë apo e centralizuar në të njëjtën strukturë”, tha Kickert.

Përpara kësaj, dëshmitari tha se nuk kanë qenë shumë të interesuar për strukturën e UÇK-së në verën e vitit 1998, por që interesi i tyre ishte që të gjenin dikë që ta përfshinin në procese politike.

“Ne, donim që të kontaktonim me persona që mund të flisnin në emër të UÇK-së dhe të përfshiheshin në procesin politik. Sigurisht që për të gjetur dikë që kishte kompetencë dhe autoritet në emër të UÇK-së dhe që mund të flisnim do duhej që ai të kishte informacion të përgjithshëm mbi UÇK-në”, tha ai.

Diplomati Kickert pohoi se në verën e vitit 1998 është takuar me diplomatin Richard Holbrooke dhe që në njërin prej këtyre takimeve kishte thënë që nuk dihej që UÇK-ja nëse ka ndonjë zingjirë të brendshëm komandues.

“Besoj që amerikanët kishin më shumë informacione inteligjencë sesa ne. Amerikanët kishin një prani në Prishtinë, kishin edhe një Shërbim të Informacionit të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, që ne evropianët nuk kemi pasur prani të vazhdueshme atje. Kështu, që si e kemi kuptuar situatën ne atëherë ishte që prezenca apo prania e Shteteve të Bashkuara përfshinte edhe pjesën e informacionit inteligjent ose informimit në përgjithësi”, tha ai në vazhdim.

Shpërndaje në: