Foto nga Rambuje me Rugovën e gërvishur e gjetur në shtëpinë e Jakup Krasniqit pranohet si provë në Hagë

Foto nga Rambuje me Rugovën e gërvishur e gjetur në shtëpinë e Jakup Krasniqit pranohet si provë në Hagë

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitarit Jan Kickert iu prezantua një fotografi, në të cilën u tha se shihej delegacioni i Rambujesë, e që në të ishte i gërvishtur ish-Presidenti Ibrahim Rugova. Gërvishtja pretendohet se u bë nga Jakup Krasniqi.

Pasi dëshmitari identifikoi që personi që është gërvishtur në fotografi është Rugova, prokurori kërkoi që kjo provë të pranohet në prova materiale.

Por, duke u përgjigjur në pyetjen e trupit gjykues, prokurori John Capin tha se fotografia e dëmtuar e cila është gjetur në shtëpinë e Krasniqit, reflekton ndjesinë e armiqësisë që ka pas i akuzuari ndaj Rugovës.

“Me sa kam unë dijeni, kjo është marrë nga një album fotografik nga shtëpia e Jakup Krasniqit. Është një prej shumë fotografive, por asnjë nga fotografitë e tjera nuk është e gërvishtur dhe e dëmtuar si kjo fotografi. Ne mendojmë se kjo fotografi është dëmtuar sepse reflekton ndjesinë që ka pasur ky i akuzuar kundrejt këtij personi, armiqësinë pra”, tha prokurori Capin, duke shtuar se mendojnë që këtë gjë e ka bërë Krasniqi.

Përpara kësaj, pranimin e kësaj fotografie si provë materiale e kundërshtoi mbrojtja e Krasniqit, përmes avokatit Aiden Ellis.

Ellis tha se ajo ka efekt paragjykues pasi që nuk dihet se në çfarë rrethanash është gjetur në shtëpinë e Krasniqit.

“E kundërshtojmë për shkak se nuk ka relevancë dhe nuk ka asnjë vlerë provuese. Sipas nesh, ky nuk është një dokument që shërben për t’i identifikuar anëtarët e delegacionit të Rambujesë sepse trupi gjykues ka shumë materiale në lidhje me Rambujen, por ky është paragjykues si dokument sepse është gërvishtur fotografia e Ibrahim Rugovës, kjo është e vërtetë. Prokuroria nuk është në gjendje ta thotë kush e ka gërvishtur fotografinë e tij, kur është gërvishtur fotografia e tij dhe jam i bindur që prokurori do të thotë që ky është një dokument që është gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së zotëri Krasniqi”, tha Ellis.

Ai gjithashtu tha se kjo fotografi nuk ka asnjë provë se s’i ka përfunduar në shtëpinë e Krasniqit dhe sipas tyre relevanca është shumë e vogël.

“Nuk ka asnjë provë që vërtetohet se si ka përfunduar kjo fotografi në shtëpinë e zotëri Krasniqi dhe mendojmë që relevanca është shumë e vogël dhe ka një efekt paragjykues të pranohet kjo fotografi pa u vërtetuar… në ç’kusht është gjetur kjo fotografi në shtëpi të Krasniqit. Ne mendojmë që efekti cenues dhe paragjykues që ka kjo fotografi është tepër i dëmshëm edhe nuk ka asnjë vlerë provuese”, tha Ellis.

Megjithatë, kryetari i trupit gjykues Charles Smith tha se kjo fotografi do të pranohet në prova materiale e që vlera provuese e saj do të përcaktohet më vonë nga trupi gjykues.

Personat që identifikoi dëshmitari Kickert në fotografinë për të cilën u diskutua në seancë, ishin Xhavit Haliti, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Skender Hyseni, e të tjerë.

“Xhavit Halitin, Skender Hysenin, Ibrahim Rugovën, Ramë Bujën, Bren Shala, Veton Surroin, Fehmi Aganin, është edhe dikush tjetër nga opozita këtu dhe krejt në të majtë Jakup Krasniqi, Hidajet Hyseni”, tha ai.

Përpara kësaj, dëshmitari pohoi se ka kontaktuar me Hashim Thaçin përmes telefoni në vitin 1998 dhe 1999.

“Kam supozuar që ai më kontaktonte me telefon satelit. Më thirrte në telefonin tim celular dhe kam menduar se po përdorte telefon satelit se telefonat celularë në atë kohë në Kosovë nuk qëndronin në të gjithë territorin”, tha ai, duke shtuar se nuk e ka parë ndonjëherë atë që të përdorte telefon satelitor.

Prokurori u fokusua gjithashtu edhe për një sërë takimesh që kishte pasur dëshmitari me Hashim Thaç in, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin në korrik të 1998-ës për të cilat tregoi cili ishte qëllimi i tyre si diplomatë.

“Qëllimi jonë ishte të identifikojmë një person të UÇK-së që do të ishte në gjendje të përfshihet në procesin politik dhe të ishte me autoritet në emër të UÇK-së”, tha ai, duke shtuar se nuk dinin asgjë për UÇK-në se si funksiononte.

Ndërsa, për një takim tjetër i cili ishte mbajtur në janar të 1999 lidhur me lirimin e pesë ushtarëve serbë, dëshmitari tha se ka qenë takim i gjatë për shkak se anëtarët e UÇK-së konsultoheshin dhe kishin përshtypjen se vendimmarrja ishte kolektive.

“Ka qenë takim i gjatë sepse mendoj se nuk mund të merrej vendimi menjëherë. Për t’u konsultuar mbase. Përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës në atë takim konsultoheshin me të tjerët. Nuk ishte e pazakontë diçka e tillë. Gjatë gjithë angazhimeve që kemi pasur me UÇK-në nuk ka pasur një person që mund ta merrte vendimin vetë. Ne, kishim përshtypje se vendimmarrja ishte kolektive”, tha ai.

 

Shpërndaje në: