KFOR-i mohoi se negocioi për ikjen e Radojçiqit maleve të Kosovës – Çka thotë deputeti Quni për këtë
Misioni i KFOR-it në Kosovë e ka quajtur të pasaktë raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, pjesë të të cilit u përfshinë në draftraportin që e prezantoi të shtunën, në nisje të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, raportuesi Mark Lancaster. Në draftraportin thuhet se KFOR-i ka negociuar me tërheqjen e sulmuesve serbë pas sulmi në Banjskë, më 24 shtator 2023, shkruan Periskopi.
Në reagimin e KFOR-it, thuhet se kjo nuk është e vërtetë pasi “në asnjë moment nuk është i përfshirë në negociatat e supozuara”.
Në lidhje me këtë ka folur shkurtimisht, deputeti, njëherit anëtar në Komisionin për Siguri, Anton Quni.
Ai për Periskopin tha që i beson deklarimit të KFOR-it, që është vlerësim nga vendngjarja.
“Në lidhje me deklarimet e ICG-së dhe KFOR-it, për tërheqjen e njësisë paramilitare/terroriste serbe nga Banjska e të cilat janë kundërthënëse njëra me tjetren, jam i prirur t’i besojë qëndrimit zyrtar të KFOR-it. Në shumicen e rasteve, vlerësimi nga vendngjarja apo terreni është më i saktë se lajmi që prodhohet në zyre”, ka thënë ai për Periskopin.
Po ashtu, në reagimin e KFOR-it thuhet, se NATO-ja vazhdon të mbajë qëndrimin se sulmuesit e Banjskës duhet të përballen me drejtësinë.
Kujtojmë që përgjegjësinë për këtë sulm e mori Milan Radojçiq, deri atëherë nënkryetar i Listës Serbe, i cili po vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi./Periskopi