Propozohen prova të reja materiale në gjykimin për korrupsion ndaj ish-anëtarëve të Këshillit Drejtues të Spitalit të Mitrovicës

Propozohen prova të reja materiale në gjykimin për korrupsion ndaj ish-anëtarëve të Këshillit Drejtues të Spitalit të Mitrovicës

Në gjykimin për korrupsion ndaj ish-kryetarit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit Drejtues të Spitalit të Mitrovicës, mbrojtja propozoi prova të reja materiale.

Në këtë rast, Mirdi Strana, Ixhmet Rexhepi, Zahir Musa, Rrahim Merovci dhe Fatime Zeneli, ku i pandehuri i parë si kryetar dhe të tjerët si anëtarë të Këshillit Drejtues të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, po akuzohen për avancimin e një punonjësi në këtë spital duke shpërfillur procedurat ligjore.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues Rrahman Beqiri njoftoi se mbrojtësi i të akuzuarit Mirdi Strana, avokati Armend Shkoza ka paraqitur një propozim që në cilësi të dëshmitares të ftohet zyrtarja ligjore në Spitalin e Mitrovicës, Lirije Bajraktari.

Po ashtu, gjykatësi tha se Shkoza ka propozuar të sigurohen vendimet e Këshillit Drejtues për ngritjen e poentimit të një të punësuari dhe vendimi për pranimin në punë të dy doktorëve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Strana, avokati Armend Shkoza deklaroi se mbeten në tërësi pranë propozimeve.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Ixhmet Rexhepi, avokati Faruk Korenica propozoi që në cilësi të dëshmitarit të ftohet përfaqësuesi i Spitalit, emrin e të cilit tha se nuk e di. Ai propozoi që ky dëshmitar të dëgjohet me arsyetimin se nga raporti i ekspertizës financiare rrjedh se dëmi është 37 mijë e 448 euro e 26 centë.

Në anën tjetër, prokurorja Fetije Bajrami tha se meqenëse janë administruar të gjitha provat materiale në shkresat e lëndës dhe tani janë propozuar prova të reja, ia lë gjykatës t’i vlerësojë sipas detyrës zyrtare.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarës Fatime Zeneli, avokati Faik Jashari tha që propozimet e bëra le t’i vlerësojë gjykata.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Zahir Musa, avokati Isa Hyseni i kundërshtoi propozimet e avokatit Shkoza. Gjatë paraqitjes së kundërshtimeve ndaj këtyre propozimeve, ndëhyri avokati Shkoza, për çka gjykata i shqiptoi këtij të fundit vërejtje.

Po ashtu, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Rrahim Merovci, avokatja Drita Shabani tha se në tërësi i kundërshtojnë propozimet për nxjerrjen e provave të reja.

Më pas, gjykata e aprovoi propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Strana, avokatit Shkoza për dëgjimin e zyrtares ligjore të Spitalit në cilësi të dëshmitares.

Ndërsa, u refuzuan propozimet për sigurimin e vendimeve të Këshillit Drejtues të Spitalit për ngritjen e poentimit të një të punësuari dhe vendimet për pranimin në punë të dy doktorëve, me arsyetimin se këto vendime nuk kanë të bëjnë me rastin konkret.

Po ashtu, Gjykata refuzoi propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Rexhepi, avokatit Faruk Korenica për dëgjimin e përfaqësuesit të Spitalit lidhur me dëmin e konstatuar nga ekspertiza financiare, me arsyetimin se gjykata tani veçse ka vendosur për këtë çështje pasi në aktakuzë nuk është propozuar si palë e dëmtuar Spitali i Mitrovicës.

Seanca e radhës pritet të mbahet në muajin qershor.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 16 qershor 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Mirdi Stranës, Ixhmet Rexhepit, Zahir Musës, Rrahim Merovcit dhe Fatime Zenelit, me arsyetimin se si persona zyrtarë, Strana – kryesues, Rexhepi, Musa, Merovci e Zeneli si anëtarë të Këshillit Drejtues të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personit tjetër ose t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Sipas aktakuzës, të njëjtit me dashje, pa i përfillur procedurat e konkursit pasi që është dashur të shpallet, në mbledhjen e mbajtur të Këshillit Drejtues më 30 qershor 2015, kanë aprovuar kërkesën e Arbnor Bajraktarit me edukim “Bachelor i arteve në menaxhment”, për avancim në pozitën “Menaxher të teknologjisë informative (TI)” me koeficient 8.40 (paga bazë 634 euro e 39 centë), edhe pse Bajraktari ka pasur kontratë pune në kohë të pacaktuar, të datës 13 shkurt 2014 në pozitën “Administrator në sistemin informativ shëndetësor” në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë, me koeficient 4.80 (paga bazë 290 euro).

Aktakuza thotë se i pandehuri Mirdi Strana në kundërshtim me Ligjin e Punës nr.03/L212, ka marrë vendim më 30 qershor 2015, së bashku edhe me të pandehurit tjerë, sipas të cilit Arbnor Bajraktarin e caktojnë në pozitën “Menaxher i teknologjisë informative (TI)”, Departamenti i administratës dhe shërbimeve ndihmëse në Spitalin e përgjithshëm në Mitrovicë, me çka i kanë shkaktuar dëm financiar buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë deri në ngritjen e kallëzimit penal në vlerë prej 14 mijë e 482 euro e 25 centë.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në: